“Fjalimi im më i gjatë në karrierën time”...I rrethuar nga socialistët në grupin parlamentar dhe me sytë nga kamera, Edi Rama theu rekordet e veta, duke e çuar në 120 minuta fjalimin e tij. Kryeministri 11-vjeçar pranon se nuk e ka çrrënjosur korrupsionin, një pohim që vjen edhe në kontekstin e rasteve të zbuluara nga drejtësia, rasti më i fundit bashkia e Tiranës.
“Edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit. neve, Partisë Socialiste, na takon pjesa e luanit në këtë luftë, qoftë për arritjet. Por po ashtu, na takon edhe pjesa më e madhe kostove të pashmangshme politike, të cilat na vijnë në daç nga faturat e të korruptuarve brenda nesh, në daç nga kusuret e mëdha të baltës që hidhet drejt nesh”, u shpreh Rama.
Pyetja e Erion Veliajt për7 orë nga agjentët e BKH-së në SPAK, loja që pasoi me fjalë dhe me fotografi të prera e kryeministrit legjitimoi pyetjen e orëve që i paraprinë ardhjes së tij në grup parlamentar: A do të jepte sinjale për mbajtje apo lëshim politik të kryebashkiakut?
“Nuk jam unë dhe PS-ja që lëshon kur i dridhet toka nën këmbë, por është ai që ka lëshuar PS-në bashkë me mua. Kush e ushqen me korrupsion krimin e dëshirës për vetë pasurim përmes funksionit publik, nuk është një limon i shtrydhur që e hedh unë, por një mollë e kalbur që bie vetë”, tha kryeministri.
Mirëpo fjalimi i tij i gjatë kishte edhe anën tjetër të monedhës, që duket sikur nuk e lë zbuluar politikisht Veliaj. Shembullin Rama e jep duke folur për veten, duke nënkuptuar dhe tezën e përgjegjësisë personale të zyrtarëve.
“Mua do të më buhej të mbaja sot një përgjegjësi të madhe, nëse Reforma në Drejtësi nuk do t’ia kishte hapur rrugën lindjes së Strukturës Speciale Antikorrupsion apo nëse gryka e re e zjarrit të drejtësisë së dalë nga kjo reformë do godiste vetëm kundërshtarët e kësaj partie dhe kësaj qeverie. E pakuptimtë fare pastaj është dhe ideja që kryeministri, ministri, kryetari i bashkisë duhet t’i mbajnë pishën tërë vartësve të tyre dhe duhet të dinë çdo gjë”, shtoi ai.
Të gjitha këto vlejnë deri sa drejtësia nuk jep një vendim final, pasi sipas Ramës nëse njerëzit e tij, sado i afërt qoftë ai, kapet me korrupsion duhet ta harrojë Partinë Socialiste.
“Jo,jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli. Është vetëm një tradhtar i dyfishtë. Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat, si për këdo mes nesh që tradhton ata që na kanë besuar. Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret”, përfundoi kreu i qeverisë.
Porosia ndaj të tijve është që të mos komentojnë vendimet e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pa i përmendur Berishën dhe Metën, por duke iu drejtuar si kundërshtarë politik, i cilësoi si UNI antishtet. (A2 Televizion)