Leximi i yjeve duket se i ka dhënë Kryeministrit besimin se renditja e planetëve është e duhura për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por përveç fuqisë së qiejve, thotë se i duhet edhe ajo në tokë e votës së shqiptarëve.
“Për herë të parë mundësia e hyrjes në BE TË Shqipërisë është jo vetëm reale por edhe aktuale. Fati dhe kështu janë lidh yjet në këtë moment. Dhe në BE Shqipërinë e fusim vetëm unë bashkë me ju, nuk e fusin dot ata të tjerët. Nuk ju hapin derën e para punës, se janë për libër nuk janë për fushatë. Janë kismet.”
Përveçse galaktikës, Edi Rama duket se ka nevojë edhe për ndihmën e opozitarëve që të braktisin Sali Berishën dhe partitë e reja, siç shpjegoi në takimin me strukturat e PS të Elbasanit.
“Brukseli duhet të marrë një mesazh shumë të qartë, asnjë lëkundje, duke futur në mes qoftë një rrjedhje sado të vogël të kënetës apo moçaleve të vogla që janë krijuar rreth kënetës, me baballarët dhe tezet tek lista e mbyllura.”
Një arsye se pse Kryeministri kërkon rinovim të kontratës me pushtetin, lidhet edhe me vijimësinë e pavarësisë së gjyqësorit, që sipas tij pala tjetër kërkon ta zhbëjë.
“Nuk do t’i lëmë shqiptarët të mendojnë që kjo punë u krye se doli Altin Dumani, që ka të gjithë respektin dhe solidaritetin tim dhe tonë për punën që bënë dhe sulmet kafshërore dhe kërcënimet që ka marrë familjarisht, bashkë menjë pjesë prokurorësh atje. Sepse nuk është çështja e Altinit, është çëshjta e shpatës. Nuk kishte shpatë në dorë altini. Shpatën në dorë e kishte pushteti politik.”
Edhe pse vetë ka qenë 27 vite në pushtet, 12 si kryeministër, 12 si kryebashkiak i Tiranës dhe 3 vite si ministër i Kulturës, Edi Rama është i bezdisur nga aktivizimi i Sali Berishës në politikë.
“A ka zotni që rri 800 vjet dhe mban peng gjithë dynjanë? Duhet të jesh buf që hash ca ke rreth e rrotull dhe të thuash o këtu me mua ose ju hëngra.”
Kreu i mazhorancës nuk mjaftohet vetëm me ekipin e tij të 11 majit. Një grep e hodhi drejt Dashnor Sulës së PD, që Berisha nuk e përfshiu në listë.
“PS është një shtëpi e hapur. Mund të jetë edhe një ditë Dash Sula, por për momentin duhet të dizinfektohet. Duhet të heqë të gjithë morrat e kënetës.”
Nëse Sulën beson se mund ta kthejë socialist, tjetër perceptim ka për Lulzim Bashën.
“Sepse është i përsosur dhe nuk ka ça evoluon. Luli ka lindur me këmishë nate.”
Me të dëgjuar Ramën, Basha mori makinën dhe filmoi kundërpërgjigjen e tij. (A2 Televizion)