Të vëmë prapë një Këlliç tjetër? Shehi: Për Tiranën duhet një personazh për ata që nuk duan as Ramën as Berishën

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 14:28 | Politikë

Dashamir Shehi thotë se Partia Demokratike duhet të lërë mënjanë tifozllëkun politik dhe të mbështesë në zgjedhjet vendore një kandidat që përbashkon opozitën, për të pasur mundësi reale që të fitojë përballë Edi Ramës.

“Nuk e kuptoj këtë që kandidati të mos jetë politik. Nëse futesh në garë, do merresh me politikë. Zgjedhjet në Tiranë janë politike dhe opozita duhet të kërkojë të fitojë për të përmbysur pushtetin, se për 15 muaj që vijnë zgjedhjet e tjera, nuk besoj se ka kandidat që mendon se do të rregullojë Tiranën. Duhet një figurë përbashkuese. Do të përballemi me qeverinë. Këtu është shpresa... Rezultati i fundit nuk është se ka qenë me shumë difernecë, por jo midis PD-së dhe PS-së, i gjithë opozitës bashkë dhe palës tjetër”, tha Shehi i ftuar në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

Sipas tij, ky është një moment i mirë që opozita duhet ta shfrytëzojë, bazuar edhe në shifrat e dala nga zgjedhjet parlamentare, ku Partia Socialiste mori 19 deputetë në Tiranë, ndërsa PD dhe partitë e tjera morën 17.

“Personazhi ka këtë vlerë, të përbashkojë. Po qe vetëm një grup i PD-së, i Berishës, do të ndalojë aty, ku ndalon grupi i Berishës, te 30%-shi në kryeqytet. Kaq kanë qenë. Duhet të vendoset një njeri i papërlyer. Këlliçi dhe Kosova kanë qenë shumë të mirë, madje për doktorin kam dalë edhe unë. Por edhe ata e kanë pasur një defekt. Nuk kanë qenë përbashkues, kanë qenë njerëzit e Berishës dhe do merrnin vota aq sa merrte Berisha, ose grupi i PD. Dhe po mbeti në këtë nivel, opozita nuk e mbërrin fitoren. Në Tiranë ka akoma një hapësirë lirie, ka njerëz që votojnë kundër qeverisë, nuk e duan Edi Ramën. Por nuk duan as Berishën. Atëherë, kur i vendos këta të dy, sigurisht fiton Edi Rama. Prandaj duhet të vendosim një figurë të tretë. Një personazh për të cilën do të votojnë të gjithë.  Nëse vendos një tifoz të grupit tënd, nuk vijnë ata. Të vëmë prapë një Këlliç tjetër? U bë prova. Çfarë është brenda PD-së mbërrin deri aty. Prandaj po them, është një rast i mirë, ata që e kanë në dorë, të kapërcejnë mbi veten”, shtoi Shehi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos