Është tensionuar protesta e opozitës te Kthesa e Kamzës, ku edhe është stacionuar pjesa më e madhe e deputetëve demokratë dhe drejtuesit më të lartë të selisë blu.
Teksa protestuesit janë rrethuar nga efektivë të shumtë të FNSH-së me skafandra, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është prononcuar për mediat duke kërkuar largimin e policisë nga vendi i tubimit.
Ai është shprehur se nëse policia nuk ikën, turma do të shkojë drejt Surrelit, ku edhe ndodhet shtëpia e kryeministrit Edi Rama, shkruan A2.
“Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Po nuk larguan në mënyrë urgjente narkopolicët, këta banditë të veshur me uniformë policie”, tha Noka.
“Po mbroni narkot. Nga po i mbroni, nga qytetarët? Nuk meritoni të qeveriseni nga një drejtor që është përfaqësues i krimit të organizuar dhe as nga një kryeministër që është përfaqësues i narkosit në këtë vend”, i ka thënë Noka – policëve.
Ndërkohë, deputeti demokrat Asllan Dogjani i ka kërkuar protestuesve që të shmangin përplasjet me policinë dhe njëherësh u ka kërkuar forcave të rendit që të largohen e të shmangin provokimet, raporton A2.
“Dilni në rrugë atje, s’kena punë me policët fare ne. Ne protestojmë për të drejtat tona”, ishin fjalët që Dogjani u tha protestuesve. (A2 Televizion)