Sali Berisha nuk është bindur nga garancia që Altin Dumani u dha gazetarëve në një komunikim informal, se hetimi i SPAK për inceneratorin e Tiranës do të vazhdojë në drejtim të çdo faktori dhe se do të sqarohet pozita e secilit person të përfshirë.
Fraksionimi i dosjes, sipas kreut të Rithemelimit, është i dyshimtë.
“Po fakti që vetë zoti Dumani ka patur një çështje të veçantë e përjashton zotërinë e tij. SKAP-i me dosje, e merr dosjen e thërrmon. Njërën ia jep Prençit dhe Krajës, tjetrën Dumanit dhe Millonait, të tretën këtij dhe atij, të katërtën asaj dhe atij.”
Bindjet politike të kreut të Prokurorisë e Posaçme, shpjegojnë sipas Berishës, atë që ai e quan amnistim të kreut të Qeverisë dhe atij të Bashkisë së Tiranës.
“Ky Dumani është një majtist i pakorrigjueshëm. Nuk mund të pranoj që qeveria e partisë së tij të shpallet organizatë kriminale.”
Shefi i SPAK-ut i shpjegoi gjithashtu gazetarëve se paditësi Gazment Bardhi ka marrë përgjigje sa i përket dosjes McGonigal, një tjetër hetim që vazhdon, ndaj të cilit Sali Berisha është gjithashtu mosbesues.
“Po është e vërtetë që ajo dosje, ju garantoj unë do ketë fatin e të gjitha të tjerave.”
Një tjetër dosje, ajo e Teatrit Kombëtar, mbahet e heshtur prej 4 vitesh, pohon Berisha.
“Më i preferuari i tyre për t’u bërë kryetar i SKAP-it, prokurori Kondili. Mban në sirtar dosjen e minimit të Teatrit Kombëtar, sepse ajo është bërë me porosi të Edi Ramës ndaj Erion Veliajt. Dhe nëse ka një protokoll nga ajo mbledhje e qeverisë, ka patur ministra që kanë shprehur pakënaqësi të madhe me atë që ndodhi me teatrin dhe Edi Rama është shndërruar në avokatin e Erion Veliajt.”
Tre raste që i mjaftojnë për të dalë në konkluzione të forta.
“SKAP-i është thjesht një armë siç ka qenë Sigurimi i shtetit në duart e diktaturës komuniste. SKAP-i është armë në duart e diktatorit që ka të gjitha pushtetet.”
Arrestimin e tij e shpjegon me tmerrin që thotë se ka kapur Kryeministrin Rama, por i pyetur mbi delegimin e kompetencave drejtuese të partisë, është i prerë. “Sali Berishën, do të delegoj Sali Berishën.” (A2 Televizion)