Parandalimi i krimeve zgjedhore, Celibashi i hap derën Olsian Çelës, prokurorët “zyrë” në KQZ

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 16:41 | Politikë

Drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Olsion Çela dhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ranë dakord që në ambinet e KQZ të krijohet një zyrë e posaçme për monitorimin e procesit zgjedhor deri në daljen e rezultatit.

Pas një takimi në ambientet e KQZ, drejtuesit e dy institucioneve shprehën gadishmërinë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan një protokoll bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve sipas së cilit, në ambientet e KQZ do të shkojnë edhe grupe hetimore për të monitoruar zgjedhjet e 11 majit.

“U dakordësuan sëbashku për të ndërtuar një protokoll të koordinimit. Nuk e shikojmë të nevojshme dhe nga pikëpamja ligjore, por thjesht të ndërtojmë një protokoll të komunikimit dhe bashkëpunimit të dy institucioneve për të adresuar sa mund të adresojmë problematikat e procesit zgjedhor”, tha Celibashi, shkruan A2 CNN.

Besimi në proceset zgjedhore vijon të jetë i brishtë nga opozita, e cila i ka kërkuar Olsian Çelës një task forcë të posaçme. Por organi i akuzës sheh si më të përshtatshme vijimin e nënshkrimit të bashkëpunimeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

“Ajo që kërkojmë dhe përpiqemi të bëjmë është të realizojmë veprimin ndër-institucional, ndërtimin e mekanizmave të cilët maksimizojnë kapacitet tona njerëzore teknike për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që paraqet procesit elektoral, ku janë padiskutim edhe hetimi i krimeve zgjedhore dhe përgjigja në kohë reale e prokurorisë ndaj çdo sinjalizimi për shkelje që ka të bëj në procesin elektoral”, tha Çela, shkruan A2 CNN.

Për zgjedhjet e 11 majit është angazhuar edhe SPAK, ku me urdhër të Dumanit ka ngritur një njësi të posaçme për hetimin e denoncimeve për krime zgjedhore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos