Tokat e Ramës në Vuno, PD akuzon për kuadër ligjor të krijuar enkas, Kryeministri njofton padi

Nga A2 CNN
2 Gusht 2024, 15:07 | Politikë

Partia Demokratike iu rikthye çështjes së tokave te familjes së Edi Ramës në Vuno të Himarës, duke treguar të gjitha procedurat e ndjekura nga të afërmit e Kryeministrit. Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Ligjore në PD, pohoi se Edi Rama dhe trashëgimtarë të tjerë të fisit Koleka, kanë aplikuar të regjistrojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave një tokë prej 22.4 hektarësh, me vlerë të painvestuar në 30 milionë euro, por kërkesa është refuzuar për mungesë dokumentacioni.

“Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen Gjykatës së Apelit Vlorë. Me Vendimin nr.49 dt.19.03.2019: Ndryshon vendimin nr.504dt.30.03.2017 të ATP njeh pronën prej 22,4 ha dhe bën pozicionimin e saj. Të gjitha Institucionet shtetërore, si ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht”, tha Kaso.

Sipas tij, pretendimi i të afërmve të Kryeministrit Rama për përfitimin e pronës, u mbështet nga një kuadër ligjor i krijuar posaçërisht. “Ndërkohë, nga vitit 2016 deri në 2020, Rama ndërton një kuadër ligjor (2 ligje dhe 7 VKM), gjithë infrastrukturën ligjore për të përfituar pronën në fjalë. Ky kuadër ligjor i mundëson familjes së Edi Ramës trajtimin e kërkesës së tyre për njohje dhe regjistrim në dy aspekte:  Kthimin e pronës në kushtet kur dokumentacioni ligjor nuk ishte i plotë; Detyrimin e ATP-së të vijojë me regjistrimin e pronës pas vendimit të Gjykatës, dhe jo rishqyrtimin e saj siç parashikonte ligji i mëparshëm”.

Kaso pranoi se nuk ka informacion mbi statusin e regjistrimit përfundimtar të pronës në fjalë pranë Kadastrës, por në ndihmë i erdhi vetë Edi Rama, që përmes një postimi online, deklaroi se nuk ka marrë ende tapitë.

Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone, nuk i ka marrë ende  certifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Edi Rama, “X”

Kryeministri flet për një përpjekje për ta goditur nxitur jo vetëm në Tiranë por edhe në Athinë, ndaj të cilës thotë se do të përgjigjet me padi.

Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujarëve të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Edi Rama, "X"

Demokratët nuk e fshehin paralelen me çështjen e kompleksit Partizani, për të cilën mbahen në arrest shtëpie Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndaj pohojnë se SPAK do të duhej të ruante të njëjtin standard dhe të vihej në lëvizje, për atë që e quajnë afera e tokave të Vunoit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos