Topalli i përgjigjet Ramës: As ndihmësit e Putinit s’do të guxonin të prodhonin 90% me zarfe të vetëvotuar

Nga A2 CNN
26 Maj 2025, 20:57 | Politikë

Topalli i përgjigjet Ramës: As ndihmësit e Putinit s’do

Drejtuesja e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli ka reaguar pasi kryesocialisti Edi Rama e quajti Doruntinë që vajton humbjen e zgjedhjeve. Përmes një postimit në rrjetet sociale, Topalli ia kthen me ironi se “kemi hyrë në epokën e mrekullive elektorale dhe diaspora paska parë ndriçimin që s’e shohin dot qytetarët në Berat”. Sipas saj ky nuk është mobilizim i diasporës, por mobilizim i zarfit nga selia.

“Na falni, por duhet ta pranojmë: kemi hyrë në epokën e mrekullive elektorale! Nëse PS merr 57% në Berat, por 90% nga “Berati në Athinë”, nuk kemi të bëjmë me mobilizim të diasporës, por me mobilizim të zarfit nga selia. Kjo nuk është mobilizim. Kjo është manipulim me GPS të fikur, ku zarfi nuk pyet për bindje, por për “bindjen e atij që e mbush”. Duket se diaspora paska parë ndriçimin që s’e shohin dot qytetarët në Berat. Shkëlqimi i Beratit është aq i fortë, sa të verbon… edhe fletën e votimit”, shkruan Topalli krahas fotove.

Sipas saj “as Cambridge Analytica dhe as ndihmësit e Putinit, s’do të guxonin të prodhonin 90% përqindje në ajër me zarfa të “vetëvotuar”.

“Pra, ndodh që emigrantët në Greqi duan më shumë qeverinë sesa vetë familjarët e tyre në Berat. Zarfi nuk e gjeti emigrantin – zarfi e zgjodhi vetë votën. As Cambridge Analytica, as ndihmësit e Putinit, s’do guxonin të prodhonin 90% përqindje në ajër – me zarfa të “vetëvotuar””.

Më herët para deputetëve dhe kandidatëve të Partisë Socialiste, Rama ironizoi Jozefina Topallin që sipas tij ankohej se PS ka vrarë pluralizmin.

"E rikthyer si një Doruntinë, mbi samarin e listës së mbyllur, të mushkës gërmuqe të partisë, Jozefina e vajtonte humbjen e zgjedhjeve me lot rrëke, me disa zarfa të Beratit, ku PS kishte marrë 90 përqind të votave. Vdiq, vdiq pluralizmi, thoshte. Na e vranë pluralizmin dhe vdiq, ku, ku e mjera unë. Pra, ne jemi vrasësit e pluralizmit. Berati është në krye të skuadrave për t’i mobilizuar shqiptarët jashtë vendit. Kur ata çohen nga gjumi dhe thonë, rrush, ne i kemi futur në shportë. Jemi ne hajdutët pse madhështorëve u mungojnë 200 mijë vota, ku ishin më konkurrues", u shpreh  Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos