Mandati i Olta Xhaçkës, Kuvendi ka 5 pyetje për Komisionin e Venecias

Nga A2 CNN
13 Shtator 2024, 15:17 | Politikë

Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur një kërkesë Komisionit të Venecias për të marrë një opinion në lidhje me vendimin për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për papajtueshmëri mandati të deputetes Olta Xhaçka.

Sipas burimeve të A2 CNN, shkresa ende nuk është firmosur nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, për t’ia dërguar Komisionit të Venecias, edhe pse paralajmëroi se do t’i drejtohej Venecias, pas votimit kundër të mocionit.

Kuvendi i drejton 5 pyetje Komisionit të Venecias, lidhur me këtë çështje.

“Duke qenë se është krijuar një tension në funksionimin e demokracisë përfaqësuese, vlerësoj se është e nevojshme marrja e një opinioni nga Komisioni Juaj i nderuar, duke besuar se ekspertiza Juaj do të ndihmonte Kuvendin për të respektuar e zbatuar drejt parimet dhe standardet kushtetuese. Në këtë kuptim, do të vlerësonim opinionin e Komisionit të Venecias mbi këto pyetje:

1. Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti? Cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar (pro, kundër, abstenim)?

2. Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?

3. Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?

4. Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?

5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë  të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta?”.

Në momentin e votimit, 25 deputetë demokratë votuan pro, ndërsa 9 socialistë kundër. 65 të tjerë shtypen butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim.

Siç shkruan A2, me këtë votim të sotëm, Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve.

Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu. Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.

Delegacioni i BE reagon për A2 CNN

“Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”. Këtë përgjigje i dha A2 CNN delegacioni i Bashkimti Europian në Tiranë për votimin i djeshëm në Kuvend për mandatin e Olta Xhaçkës.

Në reagimin e tij delegacioni i BE shpreh për A2 shqetësimin për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar nga Parlamenti.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023)”, reagon BE për A2.

Më tej në reagim thuhet: “Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”.

Kujtojmë se maxhoranca socialiste mbrojti sërish me votë kolegen Olta Xhaçka duke mos miratuar mocionin e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për papajtueshmëri mandati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos