“U zhgënjyem”- Sherri Lapaj-Shabani për mandatin e deputetit, nisin largimet nga ‘Nisma Thurje’

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 09:57 | Politikë

“U zhgënjyem”- Sherri Lapaj-Shabani për mandatin e

Rigerta Loku është larguar nga ‘Nisma Thurje’, pasi nuk u respektua marrëveshja me Lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’ për vënien në zbatim të listave të hapura.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Loku shkruan se “burri lidhet për fjale jo për konopi”, raporton A2 CNN.

Duke thumbuar Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin, ajo shkroi se u zhgënjye më tepër nga ata të dy, sesa nga politikanët e vjetër të 30 viteve të fundit.

“Burri lidhet për fjale jo për konopi

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që ndodhën në lidhje me mandatin e vetëm të ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ shpreh indinjatën time dhe mosdakortësinë absolute se si rrodhën ngjarjet.

Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenja se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur.

Ka vite e vite, që nga këtu ku jam, rend, jo pas partisë por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze  vend.

Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet.

Për një mandat të vetëm nuk janë dëmtuam vetëm dy parti, një kualicion, por është dëmtuar dhe minuar rruga e të gjitha forcave të reja politike edhe atyre që ndoshta do dilnin nesër.

Besoja dhe kemi sakrifikuar fort që c'do mandat, që ky mandat, të zbriste te lista e hapur. Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk ndodhi në menyrën më të keqe të mundshme.

Prandaj që sot unë nuk jam më e angazhuar politikisht me ‘Nismën Thurje’ ama do vijoj të jem një elektron i lirë në të voglën time.

Patjetër që edhe në Këshill Bashkiak, do të kaloj zyrtarisht e pavarur, fundja e pavarur kam qënë gjithmonë.

As nuk dua tja di për patitë e individëve, mua më intereson Mirdita ime, Shqipëria ime”, ka shkruar ajo në postimin e saj, shkruan A2 CNN.

Por nga ‘Nisma Thurje’ është larguar edhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Korçës, Klajdi Pllaha.

Përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, ai shkruan se nga një parti politike largohesh për të njëjtën arsye që hyn.

“Një mik i mençur më pati thënë dikur: ‘Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.’

Në vitin 2021, kur u angazhova për herë të parë me Nismën Thurje, e njihja pak, por hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. E përfaqësova në tri palë zgjedhje, duke rritur rezultatin dhe duke u pjekur politikisht, pa humbur idealizmin dhe pastërtinë.

Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje.

Megjithatë, nuk pendohem për këto pesë vite angazhim. Së pari, sepse më kanë bërë të njoh të rinj të tjerë idealistë, që fatkeqësisht, njëri pas tjetrit, janë larguar nga Nisma. Së dyti, gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë i përfshirë në vendimmarrjen e partisë, ndaj kam qenë gjithmonë më afër qytetarëve të Korçës sesa vetë partisë. Dhe jam i sigurt që të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit, jo partisë.

Angazhimi im politik do të vazhdojë, ashtu si në dy vitet e fundit në Këshillin Bashkiak, për të qenë zëri i qytetarëve korçarë – tashmë dhe zyrtarisht si i pavarur, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë.

Dhe, pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem pozitiv, duke besuar se të rinj idealistë dhe me karakter nuk do t’i mungojnë kurrë Shqipërisë, madje as politikës. Ndërkohë, le të vazhdojmë të forcojmë zërin qytetar”, ka shkruar Pllaha në rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos