Ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve kanë nisur pushimet verore, Fatmir Xhafaj ka zgjedhur të qëndrojë në Tiranën e përvëluar nga vapa për të nisur punën për një nga çështjet më delikate të sezonit të ri politik: ligjin e ri për financimin e partive. Duke drejtuar një tryezë konsultimi me ekspertë, Xhafaj e cilësoi emergjencë këtë nismë, duke e lidhur direkt me procesin e integrimit në BE dhe nevojën për rregulla të qëndrueshme që i rezistojnë kohës.
Teksa socialistët i kanë zënë ethet e vapës për të mësuar se çfarë fati do t’i japë Edi Rama në sezonin e ri në shtator, Fatmir Xhafaj zgjodhi të vijojë rrugën e tij me Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Ndonëse kolegët deputetë kanë marrë pushimet, ai vetë zhvilloi një tryezë konsultimi për një temë të ndjeshme për politikën: ligjin e ri për financimin e partive. Emergjenca e kësaj tryeze, në Tiranën e përvëluar nga vapa, u lidh me procesin e integrimit në BE.
“Për shkak të emergjencës që lidhet me anëtarësimin, nuk duam të gjendemi, siç ndodh rëndom, në kufijtë ekstremë ku detyrohemi të hartojmë dhe miratojmë projekte që nuk i qëndrojnë kohës”, tha Xhafaj, shkruan A2.
Sensitivitetin e çështjes e nënvizoi edhe vetë, pasi rregulli i ri në financat e partive do të sjellë edhe rregulla të reja për funksionimin e tyre, përfshirë edhe në fushatat elektorale: “Ky është një projekt, në vlerësimin tim, shumë i vështirë, për shkak se eksperienca është minimaliste, për shkak të interesave shumë të forta në këtë aspekt, sepse subjektet e drejtpërdrejta janë vetë partitë politike, por edhe për shkak të disa praktikave jo të shëndetshme, që mendohet ose perceptohet se janë të pranishme”.
Ligji për financimin e partive politike do të jetë një nga detyrat e parlamentit të ri. Xhafaj u shpreh se do të jetë në dorën e legjislaturës së ardhshme se kur do të miratohet, ndërsa detyra e tij mbetet përgatitja e një drafti që të jetë gati për shqyrtim. (A2 Televizion)