Deputetja Monika Kryemadhi ishte e ftuar mbrëmjen e së enjtes në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ku ndër të tjera ajo pranoi edhe gabimet fatale që ka bërë si drejtuesi e LSI-së.
Kryemadhi renditi në vend të parë djegien e mandateve, duke e quajtur atë si naivitet politik.
“Mund të them naiviteti politik si kryetare e LSI në atë kohë që lejoi djegien e mandateve dhe më pas bojkoti i zgjedhjeve lokale që i dhanë të gjitha armët në dorë Edi Ramës dhe PS-së për të menaxhuar dhe për të pasur një sistem sot që mund ta quajmë “Frankenstein”, i gjithë sistemi me problemet e veta.
Të jeni të bindur që edhe pas këtyre zgjedhjeve ne do të kërkojmë rishikim të kodit zgjedhor në mënyrën sesi është ndërtuar e gjitha. Pavarësisht se në pamje të jashtme të gjithë jemi të fokusuar te vota, të shkojmë të votojmë, të mos krijojmë panik, çorganizim, ose edhe një lloj destabiliteti te votuesve. Sigurisht që kodi zgjedhor ka ato skutat e errëta që pas zgjedhjeve të gjithë do të kërkojnë që t’i rishikojnë”, tha Kryemadhi. (A2 Televizion)