Në 74–vjetorin e Aviacionit Ushtarak shqiptar, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi qëllimet dhe veprimet konkrete të qeverisë për rikthimin e Shkollës së Aviacionit.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, ministri Vengu i kushtoi rëndësi përgatitjes së burrave dhe grave që shërbejnë në uniformë, trajtimit të tyre, por edhe investimeve në mjete, armatim e pajisje për Forcën Ajrore.
“Objektivat pikësëpari fillojnë me kapitalin njerëzor dhe me shkollimin. Në mbledhjen e qeverisë, u ndërmorën disa hapa në këtë drejtim dhe për pak ditë do të kem kënaqësinë që t’ju ftoj përsëri në një aktivitet që do t’i vendosë vulën rithemelimit të Shkollës së Aviacionit.
Elementi i dytë ka të bëjë më modernizimin dhe investimet në mjete, pajisje, sisteme dhe ne do ta vijojmë programin e modernizimit të Forcës Ajrore. Duhet t’i rikthehemi me patjetër avionëve dhe mjeteve me krahë fikse edhe do të kemi patjetër nevojë që të shtojmë, jo vetëm pilotët përkatës sepse do jenë në misione të dyfishta, misione emergjencash civile, misioni monitorimi dhe vëzhgimi. Sikundër do të vazhdojmë edhe të gjithë komponentët të mbrojtjes kundërajrore, shumë të rëndësishëm, të cilët janë neglizhuar për vite, por në kuadër të objektivave të Aleancës dhe të nevojave kombëtare, duhet që t’i rikthehemi këtij elementi shumë të rëndësishëm”-u shpreh ai. (A2 Televizion)