Vijon denoncimet për 11 majin, Berisha pyet Celibashin: Ku u zhdukën 350 kuti nga magazinat e KQZ?

Nga Anesti Barjamemaj
22 Korrik 2025, 14:00 | Politikë

Temperaturat e larta nuk e kanë ndaluar Sali Berishën të vijojë me denoncimet e asaj që ai e quan farsë zgjedhore. Në një konferencë për mediat nga selia blu, ku përveç tij nuk shihet kush të qarkullojë në këto ditë të nxehta, Berisha akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se 350 kuti votimi i ka zhvendosur nga magazinat veta drejt një ambienti privat pa asnjë dokument dhe sipas tij kjo është një provë shtesë se zgjedhjet janë manipuluar, shkruan A2 CNN.

“Sot unë kam këto pyetje për Ilirjan Celibashin. A janë marrë 350 kuti votimi me 12 apo me 13 prill të vitit 2025 nga magazinat e KQZ-së në Farkë? Së pari. Së dyti. A ka firmosur ai dorëzimin e personave të caktuar të 350 kutive të votimit? Së treti. A ka dijeni ai për marrjen e tyre pa asnjë dokument? Për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe dërgimin e tyre në një lokacion të administruar nga një ish-deputet socialist”, tha Berisha.

Përveç pyetjeve kryedemokrati tregoi edhe kërkesën që ka për kreun e KQZ. “I kërkoj zotit Celibashi të dorëzojë menjëherë kamerat e magazinave të materialeve të votimit sipas kërkesës të përfaqësuesve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në KQZ”, tha kreu i PD.

Lideri i opozitës pohon se i janë drejtuar me disa kërkesa kreut të KQZ, por nuk kanë marrë ende një përgjigje prej tij, ndaj e fton që të bëjë transparencë. “Ne po e ndjekim, ne disponojmë dokumente, fakte të pakundërshtueshme se sa janë marrë, kur janë marrë, ku kanë shkuar, ku janë vendosur, që të gjitha. Por është mirë që Celibashi të bëjë transparencën në pozicion ku është”.

I pyetur nëse do të ketë analizë brenda Partisë Demokratike dhe ndryshime në lidershipin e saj apo në statut, lideri opozitarë pohoi se për momentin e gjithë forca e demokratëve do të përqendrohet te denoncimi i parregullsive në zgjedhjet e 11 majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos