Drejtuesi i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ i është drejtuar publikisht kreut të ‘Nismës Thurje’, pas përplasjes së ditëve të fundit për mandatin e deputetit.
Përmes një konference për mediat, Lapaj është shprehur se me Shabanin kanë pasur një marrëveshje të shkruar, se mandatin e deputetit do e marrë personi më i votuar i listës së hapur të koalicionit.
Lapaj tha gjithashtu se zotimi i tij që nëse koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet merrte vetëm një mandat ai nuk do të hynte në Parlament, është një zotim që ai e ka bërë për votuesit dhe jo me Shabanin dhe Nismën Thurje.
Ai tha gjithashtu se ishte gati të jepte dorëheqjen, sëbashku me Shabanin dhe Pano Sokon, në mënyrë që mandati i deputetit t’i kalonte Greta Ambelit, e cila sipas tij është gruaja më e votuar e koalicionit.
“Prej ditësh jam në pritje të zotit Shabani, për të diskutuar lidhur me ngërçin e krijuar në koalicionin tonë. Edhe pse e kemi ftuar disa herë për takim, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj ndihem i detyruar të ndaj thelbin e bisedës që do të kisha pasur me të në një takim të mundshëm.
Që në krye të herës dua të theksoj se deklarata ime për të dhënë dorëheqjen nëse do të merret vetëm një mandat, po keqpërdoret nga politika e vjetër. Ky angazhim ka qenë i imi personal me votuesit dhe strukturat e lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe jo me zotin Shabani dhe partinë Nisma Thurje. Me partinë Nisma Thurje kemi pasur një marrëveshje të shkruar ku të dy palët angazhohemi që mandati ti kalojë kandidatit më të votuar nga lista e hapur, si një model që premtoi ndershmëri dhe konkurrencë reale në zgjedhje.
Duke qenë se u fitua vetëm një mandat dhe unë rezultova kandidati më i votuar në listën e hapur në nivel kombëtar, i kam propozuar Shabanit që të tërhiqemi të tre, unë ai dhe zoti Soko, në mënyrë që mandati t’i kalojë zonjës Greta Ambeli, kandidate e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe avokate me përvojë, që gëzon besimin dhe mbështetjen më të lartë nga mbështetësit tanë dhe që rezulton gruaja më e votuar në Tiranë dhe e dyta më e votuar pas meje e Lëvizjes Shqipëria Bëhet.
Kam pritur me durim një përgjigje, deri në momentin që një prej personave të listës së mbyllur, të sjellë nga zoti Shabani, ishte tërhequr nga ky zotim, një veprim që më dha sinjalin se marrëveshja nuk po respektohej. Gjatë kësaj kohe jam rezervuar nga deklaratat publike, duke e cilësuar çështje të brendshme”, tha mes të tjerash Lapaj. (A2 Televizion)