Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin për Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili tashmë do të ofrojë 9 programe të reja sipas modelit të universitetit BOKU në Vjenë. Në fjalën e tij, Rama e vlerësoi reformën në UBT si një transformim rrënjësor dhe një ndërhyrje të domosdoshme për ta “çliruar nga pushtuesit”.
“UBT ka kaluar dy faza, atë të lavdisë dhe më pas të rrënimit. Në fillimet e tij ishte qendër ekselence në kushte të vështira, me pedagogë të jashtëzakonshëm. Më pas u shndërrua në një hapësirë të braktisur dhe të degraduar”, tha Rama.
Ai shtoi se ndërhyrja për reformimin e universitetit ishte “e rëndë dhe e turpshme për nga nevoja”, pasi UBT, sipas tij, ishte kthyer në një territor të pushtuar nga ndërtimet e paligjshme dhe aktivitetet tregtare, shkruan A2 CNN.
“Nuk mund të hyje në klasë pa kaluar nëpër një pazar të paligjshëm ndërtimesh. Ishte dramatike. Së bashku me rektorin bëmë një ndërhyrje për ta çliruar”, theksoi ai.
Rama vlerësoi transformimin aktual të UBT-së si një nga reformat më serioze në arsimin shqiptar, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për profesionistët që formon ky universitet, veçanërisht për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. (A2 Televizion)