Vijon tensioni mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt për mandatin e vetëm të fituar në zgjedhjet e 11 majit. Në një reagim të fundit në Facebook, Shabani ka publikuar dokumentet e marrëveshjes së koalicionit, duke sfiduar Lapajn për zbatimin e fjalës së dhënë.
“SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë, pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut?”, shkruan Shabani.
Ai thekson se, ndonëse marrëveshja nuk parashikon në mënyrë të detyrueshme dorëheqjen e kandidatëve, 46 prej tyre dhanë fjalën që do të hapnin rrugë për kandidatët e listës së hapur. Kjo, sipas tij, është një zotim moral, jo ligjor, por që mbështetet në një parim të rrënjosur thellë në ndërgjegjen kombëtare: fjala e dhënë.
“Në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa”, shkruan ai
Reagimi i Plotë
"Sqarim publik
SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë.
Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut?
Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”?
Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër.
Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur.
Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë - si ajo e Adriatikut.
Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa!
Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?"
(A2 Televizion)