Vizita në kongresin e CDU-së, Berisha: Ishte udhëtim drejt fitores, dy herë më shumë shanse se në 1991

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2025, 15:09 | Politikë

Udhëtim drejt fitores e quajti Sali Berisha vizitën e tij në Berlin ku mori pjesë në kongresin e CDU. Teska bëri një paralele me vizitën e tij të parë në Gjermani pas rrëzimit të diktaturës, lideri demokrat pohoi se edhe ky udhëtim vjen vetëm pak kohë pas u lirua nga arresti shtëpiak dhe është një ogur i mirë për rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet.

“Këtë herë, PD fiton zgjedhjet. Kjo është esenca. Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD”, tha Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.

Lideri i opozitës tregoi edhe planin nëse vjen në pushtet, ku pohoi se do të jetë në një linjë me partnerët ndërkombëtar sa i takon çështjes së emigrantëve të paligjshëm.

“Partnerët, aleatët tanë e kanë shumë të qartë se me PD-në në pushtet, zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera. Nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit”.

Me non gratën dhe hetimin nga SPAK mbi supe, Berisha pohoi se shanset për fitoren e demokratëve në 11 maj janë dy herë më shumë se në vitin 1991.

“Ai vendosi kundërshtarin në ‘arrest shtëpie’ i bindur se nuk fitonte dot ndryshe. Por kundërshtari ja ku është. Mendoj se qëndresa dhe provat e suksesshme e bëjnë Sali Berishën sot, dy herë më fitimtar sot se në 1991. Dy herë më shumë shanset”.

Teksa u pyet për protestën e së shtunës, Berisha pohoi se do të jetë madhështore dhe të gjithë qytetarët do të jenë në Tiranë, duke shtuar se pas këtij tubimi opozita nuk do të ndalet deri në ditën e zgjedhjeve.

“Kjo do jetë një protestë madhështore, në të cilën populli shqiptar, shqiptarët në të katër anët e vendit dhe qytetarët e Tiranës zbresin në shesh si dëshmitarë të agut të fitores. Tani ka vetëm një fjalë, fitore. Dhe kjo fitore nuk ndalet më. Me njëri-tjetrin e kanë kuptuar se nuk kanë gjë në vijë. Kështu që nuk ka program, një qeveri që nuk ka program, që merr një tezë timen të vitit 2012 dhe në vitin 2025 e shndërron në program”.

Lideri i opozitës pohoi se negociatat me Partinë e Lirisë vijojnë për të qenë bashkë në zgjedhje, ndërsa mazhorancës i përsëriti kushtin për lejimin e votimit të diasporës pavarësisht nëse nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar, nëse do votat e PD në Parlament për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos