Kryekomisioneri Ilirian Celibashi deklaroi se përsa i përket numërimt të votave nga Greqia, Partia Demokratike nuk ka sjellë prova në KQZ për parregullsi.
“Procesi nuk ka përfunduar. Nëse dikush ka pretendime të tjera shtesë, do të shqyrtohen dhe vlerësohen. KQZ-së nuk i është paraqitur asnjë provë në lidhje me pretendimet e bëra publike. Prova në KQZ nuk janë paraqitur, por koha për t‘i paraqitur nuk ka përfunduar. Subjekti zgjedhor që ka kontestuar për rezultatin, të paraqesë provat për shkeljet e ligjit dhe më tej do të vlerësohet nga instancat se sa këto shkelje të ligjit kanë ndikuar në rezultat”, tha Celibashi, shkruan A2.
“Shpresoj që deri nesër në darkë ta përfundojmë këtë proces. Edhe rezultatin për kandidatët e listës së hapur ta kemi deri nesër në darkë”, shtoi Celibashi.
Kryekomisioneri u shpreh më tej se nga numërimi i votave në rang vendi, kanë rezultuar 109 fletë votimi më shumë se numri qytetarëve që kanë votuar.
Celibashi sqaroi se KQZ ka nisur verifikimet lidhur me rastin, nëse ka pasur një gabim të atyre që kanë mbyllur procesverbalin nga qendrat e votimit, apo numëruesit kur kanë hedhur të dhënat. Ndër të tjera, ai tha se 9 kuti janë kontestuar si të parregullta, 7 të tilla janë shpallur që në momentin e dorëzimit, ndërsa 2 janë kontestuar të tilla nga KZAZ, pas marrjes së kutive në dorëzim.
Sa i përket votave të diasporës, ai tha se deri tani 159 921 vota janë të vlefshme, ndërsa 1666 vota të pavlefshme.
"Nga 1 462 352 fletë votimit të gjendura në kuti, 1 460 833 janë vota vë vlefshme dhe 55 519 janë të pavlefshme. Janë vetëm 9 kuti të parregullta që ka rezultuar nga procesi i vlerësimit, 7 të tilla janë shpallur që në momentin e dorëzimit, ndërsa 2 janë kontestuar të tilla, na KZAZ pasi marrjes së kutive në dorëzim", tha Celibashi.
(A2 Televizion)