Vota e emigrantëve rrezikon të dështojë nëse nuk bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë më shumë kohë shërbimit postar për të dërguar dhe kthyer zarfin me fletën e votimit.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, pas takimit me disa operatorë postarë, ka njoftuar partitë politike se me afatet aktuale, vota e emigrantëve nuk do të arrijë të vijë në KQZ brenda afatit maksimal që është dita e votimit. Përtej këtij caku, çdo zarf me votë klasifikohet në kushtet e pavlefshmërisë: “Sikurse ju e dini, afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Të gjithë operatorët, përfshi edhe atë publik, vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30-45 ditë”.
Transporti i fletëve të votimit nuk mund të bëhet me postë të thjeshtë, por vetëm me dërgesa rekomande të pajisura me “barcode” që mund të gjurmohen. Deri tani nuk ka patur një përgjigje për të zgjidhur këtë ngërç, që mund t’ua pamundësojë shqiptarëve që jetojnë jashtë të drejtën për të zgjedhur deputetët e Parlamentit të 2025.
Ky proces që për herë të parë mund të aplikohet vitin e ardhshëm, nuk ka marrë ende vulën përfundimtare nga KQZ, pasi anëtarët e Komisionit Rregullator ngritën disa pikëpyetje që lidhen me vlefshmërinë e dokumentave të identifikimit.
Përpos votës së emigrantëve, një sfidë tjetër për komisionerin Celibashi është votimi elektronik. Teksa mazhoranca kërkon që në parlamentaret e ardhshme kjo teknologji të implementohet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, demokratët kërkojnë të kundërtën. Në opinionin dërguar KQZ-së, Partia Demokratike kërkon zbatimin e votimit në të gjithë Shqipërinë, pasi, sipas saj, ekzistojnë mundësi për ndërhyrje në sistemin elektronik. (A2 Televizion)