Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka sqaruar se rinumërimi i votave pas zgjedhjeve të 11 majit, nuk është një kërkesë zyrtare e partisë, por vjen nga kandidatët e saj.
Ai theksoi se PD nuk mund t’ua mohojë të drejtën kandidatëve për të kërkuar rinumërim nëse kanë dyshime mbi korrektësinë e procesit.
“Dhe njëherë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së. Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë. Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni. Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD", u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kërkesat për rinumërim kanë për qëllim të sqarojnë nëse ka pasur spostim votash mes kandidatëve të së njëjtës parti dhe janë një hap drejt transparencës. Më tej, Berisha akuzoi qeverinë për manipulim të procesit zgjedhor, duke deklaruar se "vota vdiq pa hyrë në kuti".
Ai denoncoi gjithashtu atë që e cilësoi si një "farsë të turpshme" në zgjedhjet e 11 majit, duke akuzuar përfshirjen e kriminelëve të nxitur nga eksponentë të qeverisë në procese zgjedhore dhe duke thënë se këto ngjarje tronditën edhe institucionet ndërkombëtare.
"Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë", deklaroi ai.
Në fund, Berisha theksoi se opozita do vazhdojë të bëjë detyrën e saj dhe nuk do të heshtë përballë dhunimit të votës dhe lidhjeve të krimit me politikën. (A2 Televizion)