Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ashpër pas vrasjes së gjykatësit të Apelit, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një “vrasje shtetërore”, pasi sipas tij ka mungesë totale të masave të sigurisë për gjyqtarët në detyrë.
Në një deklaratë të fortë nga parlamenti, Berisha akuzoi qeverinë dhe ministren e Brendshme Albana Koçiu për neglizhencë të plotë, ndërsa theksoi se në vend të shtimit të sigurisë për gjyqtarët, janë dyfishuar masat për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK-ut.
“Në vend të shprehjes së një ndjenje përgjegjësie shtetërore dhe qeveritare, një ministër i dalë nga sënduqet e Xhorxh Sorosit shpërthen me në fjalor ordineri, me një fjalor që dëshmon të gjithë brendinë e tij se çfarë përfaqëson. Gjykatësi është vrarë, është ekzekutuar në mënyrë barbare në krye të detyrës dhe ju e patë, narkoqeveria dje, në vend se të përcaktonte masa për mbrojtjen e gjykatësve, dublikoi masat për mbrojtjen e skapistëve. Unë nuk jam kundër mbrojtjes së skapistëve, por gjykata e apelit dhe gjykatësi i apelit në aspektin e vendimit është më i rëndësishmi i vendimmarrjes gjyqësore. Dhe nuk shkroi asnjë fjalë, asnjë germë. Pra, do mbrohen 18 vite, se çfarë do bëhet me 200 të tjerë, siç ishin, mbeten. Ky që foli, se ajo nuk fliste dot, ministrja që mashtroi publikisht, nuk tha një fjalë. Ministrja që mashtroi publikisht se policia nuk ka punë me sigurinë e gjykatave, në fakt ka. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë, flet ministri për ministrin”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se alarmi i ngritur nga krerët e institucioneve të drejtësisë për mungesën e sigurisë në gjykata është i justifikuar dhe se kjo situatë reflekton mungesën e përgjegjësisë shtetërore.
Berisha nuk kurseu as kritikat për reagimin politik, duke e krahasuar sjelljen në Kuvend me “Fermën e Oruellit”, ndërsa theksoi se qasja e mazhorancës po nxit një urrejtje të madhe në popull.
“Ky parlament po zgjon urrejtje shumë të madhe. Një njeri është vrarë dhe atë e vrau shteti, duke e lënë pa asnjë mbrojtje”, tha ai. (A2 Televizion)