Lulzim Basha e mirëpriti sinjalin e dhënë nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbi ndryshimet Kushtetuese që do të zgjidhnin shqetësimin e përsëritur të drejtuesve të SPAK, për zgjatjen e mandatit të prokurorëve specialë.
Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë Demokratike zyrtare tregoi gatishmëri për të bashkuar votat me socialistët, por vendosi kushtet e tij.
“E para për mandatin e prokurorëve nuk ka nevojë të ulesh me PS, është ndryshim i thjeshtë në kushtetutë. Nëse kjo do të përdoret si vegël për ndryshime të tjera për llogari të PS është manovër e ulët. Në paketën që kemi çuar janë të gjitha propozimet, t’i marrin t’i votojnë, s’po i bëjmë për veten tonë”.
Pavarësisht uljes së toneve sa i përket kësaj çështje, kur flitet për amnistinë penale të miratuar pak javë më parë nga Parlamenti, Basha ka një tjetër qasje ndaj Ulsi Manjës. Ministrin e akuzon si atentator të reformës në drejtësi pasi thotë se Manja ka gënjyer për përfituesit nga ligji i amnistisë.
“Zoti Manja u kap me presh në duar, zoti Manja është kapur duke gënjyer në Parlamentin e Shqipërisë. Siç patëm paralajmëruar ne, zoti Manja nuk ka gënjyer nga halli se kjo i doli papritur, por ka planifikuar lirimin e dhjetëra deri në 100 të burgosur të dënuar nga GJKKO”.
Gjatë konferencës për mediat, Basha u pyet dhe për grupin e punës që po harton ndryshimet e ligjeve të Reformës në Drejtësi, por shpjegoi se Partia Demokratike zyrtare nuk kishte informacion mbi këtë, çështje për të cilën është ankuar edhe te partnerët ndërkombëtarë. (A2 Televizion)