“20 mijë firma”, avokati tregon për nismën që synon trajtime të specializuara shëndetësore për fëmijët

Nga A2 CNN
21 Maj 2026, 12:05 | Sociale

“Një firmë sot shpëton një jetë nesër”. Është kjo nisma për shëndetin e fëmijëve që e ka origjinën në Korçë dhe që ka lidhje me mbulimin e shpenzimeve për trajtimin mjekësor të të vegjëlve.

Avokati Artjon Beqiraj, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, shpjegoi këtë nismë.

“Në bazë të kuadrit ligjor që është në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duhen të paktën minimalisht 20 000 firma për të propozuar para Kuvendit një projektligj të caktuar dhe nisma në këtë fazë është e angazhuar pikërisht në këtë element, në shumë qytete të Shqipërisë. Ne thamë që nisi nga Korça, është shpërndarë në shumë qytete. Unë mbuloj qytetin e Durrësit, ku kemi nisur një fushatë goxha të gjerë për të mbledhur firmat e qytetarëve, pikërisht për të propozuar projektligjin për trajtimin financiar të rasteve shëndetësore të fëmijëve”, u shpreh avokati.

“Thelbi është që të gjithë fëmijët 0-18 vjeç, që kanë probleme që nuk diagnostikohen ose nuk trajtohen në sistemin publik shëndetësor shqiptar për shkaqe të ndryshme, atëherë shteti duhet të mbulojë faturën financiare në atë spital ku kjo sëmundje trajtohet”, shtoi avokati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos