Video e një mësuesi që përqafohej nga nxënësit e tij teksa hynte në klasë, bëri xhiron e rrjetit, duke prekur mijëra njerëz me dashurinë dhe respektin që nxënësit treguan për të.
Adriatik Halili është mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Shefqet Tanci” në Bulqizë. Si shumë të rinj shqiptarë, ai kishte ëndërr të vijonte futbollin si profesionist, por një dëmtim i ndërpreu atë. “Kisha një parakontratë me një klub gjerman, por nuk u bë e mundur nga një aksident që pësova”, rrëfeu ai në “Dita jonë” në A2 CNN.
Tashmë i rikthyer në Shqipëri, mësuesi ka gjetur qetësi dhe forcë për të vazhduar përpara, falë mbështetjes së fëmijëve. “Dashuria e tyre nuk shtiret. Jam prind i dytë për ta”, tregon ai. “Buzëqeshja e tyre është forca ime. Përparimi i tyre më jep forcë dhe lumturi. Ka tepër sfida me fëmijët, por kur i do me zemër bëhet çdo gjë kënaqësi”.
Përveç mësimdhënies, Adriatik Halili punon edhe si trajner personal dhe trajner fëmijësh, ndërsa shprehet se ëndrra e tij është të motivojë çdo fëmijë të besojë te vetja dhe të ndjekë ëndrrat e tij. (A2 Televizion)