Majlinda Rexhepi ka zgjedhur të mbajë hijab për shkak të besimit të saj fetar. Në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, ajo tregoi komentet që merr për shkak të zgjedhjes së saj.
“Unë jam përballur vazhdimisht me stigmatizime të tilla si “nuk ia del”, “nuk mundesh”, “i ke të gjitha të bllokuara”, “nuk do të pranohesh”. Mirëpo, pikërisht ndonjëherë këto pengesa të forcojnë më shumë. Për mua është një zgjedhje personale dhe një lidhje e veçantë me Zotin, që mua më ka bërë të jem e qetë me veten time dhe ta pranoj veten ashtu siç unë kam zgjedhur të jem. Kam dashur të mos më gjykojnë nga pamja, nga veshja apo nga simbolet fetare që unë mund të paraqes, por nga ajo që unë jam realisht. Mendoj që ky negativiteti i shfaqur apo ky lumë i urrejtjes është nëpër rrjetet sociale, për shkak se në jetën reale apo në jetën e përditshme nuk e kam hasur një gjë të tillë”, tha Rexhepi.
Më tej, Majlinda Rexhepi ndau me publikun edhe momentin kur mësoi se vajza e saj i përket fëmijëve me spektrin e autizmit.
“Për çdo prind, njoftimi me diagnozën e autizmit është i vështirë dhe është shokues në fillime. Mirëpo, çka është më e rëndësishme, gjysma e shërimit të fëmijës është kur prindërit e pranojnë fëmijën ashtu siç është. Edhe unë e kam pranuar si të tillë dhe jam munduar maksimalisht që të jem mbështetja më e fortë e saj dhe rrugëtimi drejt studimeve të psikologjisë ka qenë vajza. Kjo ka ardhur shumë natyrshëm në formën se unë e dërgoja vazhdimisht vajzën tek terapisti çdo ditë pas shkollës. Duhej patjetër të merrej terapia tek psikologu dhe kjo ngarkesa e vazhdueshme e shqetësonte vajzën sepse fëmijët autikë nuk duan një ngarkesë të tillë çdo ditë. Dhe thashë me vete pse të mos jem unë terapisja e vajzës time dhe unë ta trajtoj atë dhe kush di më mirë sesa unë ta kuptoj vajzën. Kështu që, aty ka qenë ajo pika kur unë i dhashë një kthesë tjetër rrugëtimit tim rreth dijes dhe vazhdova studimet për psikologji”, u shpreh Majlinda.
(A2 Televizion)