Prej vitesh pa investime, tregu i Kuçovës pa kushte higjieno-sanitare

Nga Gazmend Janku
18 Maj 2026, 11:26 | Sociale

Në ambiente të papërshtatshme ushtron aktivitetin e tij tregu i Bashkisë së Kuçovës, ku qytetarët blejnë si produkte ushqimore, ashtu edhe konfeksione. Pamjet nuk lënë shumë vend për komente sa i përket mungesës së theksuar të higjienës, që ndryshe përkthehet në pasiguri ushqimore për qytetarët që blejnë, si edhe në kushte infrastrukturore shumë problematike. Vetë tregtarët shprehen se gjendja është e tillë prej vitesh, ku mungojnë edhe tualetet.

“Unë e ushtroj aktivitetin prej afërsisht 10 vitesh këtu në treg. Siç e shikoni, kushtet kështu kanë qenë para 10 vitesh dhe kështu janë edhe sot. Madje janë përkeqësuar. Kemi pasur nja dy banja, tani s’ka as banjë. Nuk dimë ç’të flasim më. Edhe burrat po shkojnë për nevoja personale në ferra, kurse gratë nuk po dinë ku të venë. Në bashki s’na pret njeri. Unë kam ardhur disa herë në bashki, por për asgjë s’na pret njeri”, tregon një tregtar për A2 CNN.

“Shumë dobët. Ja, siç e shikoni aty, pastrojmë vetë. Rrugicat i pastrojmë vetë. Makinat nuk hyjnë e nuk dalin, një kalimshe dhe zihen. Banja nuk ka. Janë prishur banjat. Nevojat personale i bëjmë andej. Gratë nuk dinë ku të venë. Nuk ka banja”, tregon një tjetër.

Nga Bashkia e Kuçovës nuk ka asnjë përgjigje dhe aq më pak veprim për ankesat që herë pas here kanë drejtuar jo vetëm tregtarët, por edhe vetë qytetarët e kësaj bashkie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos