“30 vite që agjëroj”, rrëfimi emocional i besimtares: Ramazani, moment reflektimi i fortë me veten

Nga A2 CNN
16 Mars 2026, 08:22 | Sociale
 

Psikologia dhe besimtarja Edlira Dyrmishaj ka ndarë një rrëfim të ndjerë për përvojën e saj shpirtërore me agjërimin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. E ftuar në emisionin “Dita Jonë’ në A2 CNN, ajo tregoi se këtë ritual e ka ndjekur për tre dekada pa ndërprerje.

Kam agjëruar 30 Ramazane. Kur kam mbajtur Ramazanin e parë kam qenë sa është vajza e vogël sot dhe nuk e kam ndërprerë asnjë ditë. Më ka qëlluar të agjëroj në dhjetor, në gusht, në shtator. Kjo në vetvete është një gjë shumë e bukur, sepse ti e sheh dhe provon kapacitetin tënd personal në të gjitha dimensionet e vitit, në të gjitha format që Zoti e ka krijuar ditën dhe natën”, u shpreh ajo.

Dyrmishaj rrëfen se edhe pse agjërimi në ditët e verës është më sfidues, ai mbart një energji të veçantë shpirtërore.

Të them me shumë sinqeritet, unë kam mall për agjërimin në ditët e verës. Sakrifica është më e madhe, por ti ndien një energji që s’është e jotja, një energji pozitiviteti që të përshkon nga fillimi deri në fund”, tha ajo.

Sipas saj, përvoja e agjërimit nuk lidhet vetëm me sakrificën fizike, por edhe me një proces të thellë reflektimi dhe rritjeje personale.

Sa i përket meditimit me veten dhe ndryshimeve që sheh te vetja, janë një sërë faktorësh që lidhen me maturimin individual dhe me rritjen personale. Besimi është një gjendje shpirtërore që vjen duke u maturuar, dhe gjithmonë e më shumë e përjeton ardhjen e Ramazanit si një dhuratë shumë të çmuar”, u shpreh ajo.

Ajo thekson se momentet më emocionale vijnë pikërisht në fund të muajit të shenjtë, kur besimtarët ndiejnë se “mysafiri” i tyre po largohet.

Tani që vjen fundi i Ramazanit dhe fillon të ndiesh që ky mysafir i çmuar po largohet, bashkë me shpresën e madhe për pranimin, ndien atë dhimbjen e ndarjes. A do të takohemi përsëri vitin tjetër me të njëjtën ndjenjë, me të njëjtin ritual dhe sinergji pozitiviteti? Është një moment reflektimi shumë i fortë me veten. Ky është një nga ato raste kur emocionohem kur flas”, përfundoi Dyrmishaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos