Kanë mjaftuar 10 ditë që grumbulluesit e qumështit të mos e marrin më këtë produkt nga Ardian Skënderaj, nga Levani i Fierit, që ai të shkojë drejt falimentimit dhe shitjes së lopëve. Vetë blegtori tregon arsyet e kësaj situate dhe pranon falimentimin e aktivitetit që e ushtron prej më shumë se 20 vitesh.
“25 vjet, ma lënë qumështin në vend. Del aflatoksina. Problemi është aflatoksina. Ne përdorim ilaçet dhe të gjitha masat e nevojshme. I kemi më se normale ato. Hedhim dozat që duhen dhe bëjmë analiza. Ai më thotë se del 0.07, ndërsa kur bëj analizë privat më del 0.053. Tani na nxorën në rrugë, thanë se nuk duan më qumësht. Marrin qumësht nga jashtë. Unë kam 25 krerë dhe për 10 ditë falimentova. Jo drejt falimentimit, por falimentova. Kam 25 vjet që bëj këtë punë dhe falimentova për 10 ditë”, thotë ai.
Një tjetër blegtor tregon se dimri i vështirë dhe me shumë lagështirë që kaluan ka bërë që në zonë të rrallohen shumë tufat. “Katër muaj shi. Parcelat na u përmbytën nga shiu. Balta na detyroi të blejmë koncentrate, për shembull misër dhe jonxhë. Çmimi i jonxhës ka arritur shumë, nga 10 deri në 12 mijë lekë për një ballë. Dikur kishte rreth 40 tufa me bagëti të imta. Sot mund t’i numërosh me gishtat e dorës, pesë deri në gjashtë. Rënia është drastike”.
Sipas tij, nëse shteti nuk do të tregojë interes ndaj blegtorisë duke e mbështetur me subvencione më të mëdha, atëherë ky aktivitet do të shkojë drejt zhdukjes. “Nëse do të ketë rritje të subvencioneve, do të ketë edhe të rinj që do të hapin aktivitete pune. Nëse nuk ka rritje, kjo është duke u venitur dhe mund të themi se është drejt zhdukjes”.
Zona e Myzeqesë ka qenë ndër zonat më të njohura për blegtori, por vit pas viti kjo traditë ka ardhur në rënie dhe tani rrezikon zhdukjen. (A2 Televizion)