“A është Fondacioni Soros në grupin e punës?” Projektligji për barazinë gjinore, opozita kundër: Do ketë pasoja fatale për familjen

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 12:41 | Sociale

“A është Fondacioni Soros në grupin e punës?”

Ministria e Shëndetësisë prezantoi këtë të martë projektligjin “për barazinë gjinore” në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale. Relatori i opozitës, Zija Ismaili, u shpreh kategorikisht kundër kalimit të ligjit dhe kërkoi që nenet e tij t’i nënshtrohen një referendumi kombëtar.

“Ka një shqetësim shumë të madh nga komunitetet fetare dhe shoqata të ndryshme për këtë projektligj. Prek shumë elementë të shoqërisë dhe të jetës shqiptare. Nëse miratohet pasojat do të jenë fatale. Ndryshimet janë drastike, me pasoja të parikuperueshme mbi familjen. Anulimi i koncepteve natyrore të nënës dhe babait zëvendësohen nga terma si “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në jetën e fëmijëve. Debati mbi gjinitë e shumëfishta ka çuar në polarizim mes njerëzve dhe rrit tensionet shoqërore. Pasojat e këtij ligji bien mbi sportin. Ky fenomen thellon pabarazinë gjinore në sport. Nëse miratohet do të na krijojë probleme në ushtri. Kërkojmë tërheqjen dhe nëse do të jetë e mundur të kalohet në një referendum kombëtar”, tha Ismaili.

Eduart Shalsi, përfaqësues i maxhorancës në komision, tha se ky projektligj nuk synon të rregullojë asgjë tjetër përveç barazisë gjinore.

Ndërsa Denada Seferi, zv.ministre e Shëndetësisë, e cila e prezantoi projektligjin në vend të ministres Evis Sala, tha se ky projektligj është një detyrim i Bashkimit Europian për Shqipërinë. “Grupi i punës është ngritur në shkurt 2024. Ky ligj nuk parashikon gjini, por barazinë mes burrit dhe gruas. E ka të shkruar qartë në çdo nen se çfarë do të thotë gjini. Nuk ka të bëjë me çështjet biologjike me përcaktimin e gjinisë. Nuk është e vërtetë që kemi përcaktuar gjini të shumëfishtë. Kemi të përcaktuar gjininë më vete dhe përkatësinë e shumëfishtë më vete. Do të thotë që kemi një zonjë që jeton në fshat, një zonjë që është rome, mund të jetë me aftësi të kufizuara, apo pabarazi të tjera. Këtu nuk flasim në asnjë vend as për transgjinorë, nuk flasim as për ndërhyrje kirurgjikale, nuk flasim as për martesat, as për familjen as për cenimin e familjes”, tha Seferi.

Kryetari i Komisionit, Bardh Spahia, akuzoi prezantuesit se po tentojnë të fusin konceptin e vetëdeklarimit nëpërmjet këtij projektligji. “A ka qenë organizata e Shoqërisë së Hapur, shoqata që kanë promovuar agjendën LGBT, apo shoqata të tjera, që kanë qenë pjesë e grupit të punës? Nëse po, pse është mbajtur i fshehtë grupi i punës?”, pyeti Spahia.

“Gjithçka që ka të bëjë me gjininë, ka të bëjë me termat burrë dhe grua, që janë të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë. Grupi i punës është përbërë nga drejtori të Ministrisë së Shëndetësisë, nga përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, etj. Në këto takime ka marrë pjesë edhe Avokati i Popullit. Takimet që janë bërë me shoqërinë civile kanë qenë të hapura. Nuk kemi rekorde kush kanë marrë pjesë. Komunitetet fetare nuk kanë qenë të përfshirë. Nuk e kemi menduar të arsyeshme”, tha zv.ministrja. “Jo”, shtoi ajo sa i përket pjesëmarrjes së Fondacionit Soros në grupin e punës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos