Zyrtarisht kemi hyrë në stinën e alergjive. Në Shqipëri nuk ka studime dhe shifra të sakta për përhapjen e kësaj sëmundje kronike, por mjekët flasin për rritje alarmante nga viti në vit të personave alergjikë. Edhe më shqetësuese janë të dhënat e alergologëve për moshat pediatrike.
“Të paktën këtë 10-vjeçarin e fundit nuk është bërë asnjë studim real i cili të na evidentojë numrin e shifrave dhe ne të themi që kaq rritje apo kaq rritje. Megjithatë në përditshmërinë tonë ne ndjejmë fluksin e shtimit të rasteve të reja”, tregon për A2 CNN Alkerta Ibranji, alergologe.
“Alarmuese është shtimi i rasteve të fëmijëve me probleme respiratore alergjike dhe jo alergjike, të cilët shpesh herë vijnë tek alergologu për t'u diferencuar dhe patjetër që kjo i atribuohet ndotjes së ajrit, patjetër që kjo i atribuohet ndryshimit të stilit të jetës, largimi i kontaktit të natyrës, rritja e këtyre fëmijëve në ambiente të izoluara, ku dhe lojërat bëhen në ambiente të izoluara”.
Ndotja e ajrit është faktori kryesor për shfaqjen e alergjive dhe astmës në popullatën shqiptare. Referuar statistikave botërore, mjekët alergologë tregojnë se 80% e personave alergjikë përfundojnë në pacientë astmatik.
“Në 100 pacientë me astma, 60 kanë qenë dikur me rinit alergjik. Që do të thotë, këta pacientë kanë pasur fillimisht rinitin alergjik dhe më pas kanë evoluar sëmundja drejt astmës. Tek 100 pacientë me rinit alergjik, 80% është parë që kanë progreduar drejt astmës. Pra kjo bën një korelim të mirë për të menduar që njeri alergjik ka probabilitet shumë të lartë të çojë drejt astmës”, thotë Ibranji.
Shqipëria është para një provimi të vështirë me Bashkimin Europian. Vendi ynë duhet të plotësojë një sërë standardesh për uljen e ndotjes së ajrit dhe ndikimit në shëndetin e popullatës. Masa që nuk duhet të mbeten vetëm në letër dhe në emër të anëtarësimit.
“Por ajrin ne nuk e zgjedhim dot. Prandaj lipset me patjetër një vullnet jo vetëm i qytetarëve të Shqipërisë, por dhe një vullnet i mirë politik, një incentivim i politikave drejt përdorimit të makinave elektrike duke reduktuar kështu konsumimin e karburanteve të cilët janë ndotës shumë esencial në ambientet tona. Vendosja e politikave dhe masave më të rrepta në kantieret e ndërtimit, sigurimi i djegies së kalibruar dhe të kontrolluar të mbetjeve urbane”, thotë Ibranji.
Me ngrohjen e motit, me shtimin e poleneve dhe të ndotjes së ajrit, mjekët presin rritje të fluksit të vizitave. Alergjia dallohet nga virozat gripale, jo vetëm sepse mungon temperatura e lartë, por shoqërohet edhe me kruarje dhe ënjtje të syve. Sëmundja përsëritet në të njëjtin sezon duke u rënduar nga viti në vit. (A2 Televizion)