Uzina e naftës në Ballsh, naftëtarët: U shit për skrap, do të ndihmonte në kohë krize

Nga Armand Pire
4 Prill 2026, 17:11 | Sociale

Uzina e naftës në Ballsh, naftëtarët: U shit për skrap,

Më 27 nëntor të vitit 1978, në qytetin e Ballshit nisi punë një nga asetet kombëtare më të çmuara, rafineria e përpunimit të naftës. Një uzinë e cila u ndërtua në fushat e Mallakastrës për t’i dhënë jetë qytetit të Ballshit, por edhe për t’i ofruar Shqipërisë asokohe naftë, benzinë dhe nënprodukte të tjera.

Uzina funksionoi me të mirat dhe dobësitë e saj deri në vitin 2018, pra për 40 vite, duke punësuar mijëra naftëtarë e duke përpunuar miliona litra naftë, si dhe duke siguruar të ardhura ekonomike jo vetëm lokale, por edhe kombëtare.

Pas këtij viti, u theksuan edhe më shumë problemet me pagat e punonjësve për shkak të borxheve që patën administruesit privatë të uzinës, pas privatizimit të saj. Gjatë pandemisë së vitit 2020 u zhvilluan protestat më të fuqishme dhe grevat më rezistente nga naftëtarët, por asgjë nuk ndryshoi.

Fati i uzinës ishte shkruar që të shembej dhe nga një aset kombëtar, rafineria u shkri për skrap.

Nëpërmjet një reportazhi në emisionin “Hotspot” në A2 CNN, nga gazetari Armend Pire, u rikthye edhe njëherë historia e kësaj uzine, nga krijimi e deri te rrënimi i saj.

"Ky nuk ishte një kombinat që i shërbente vetëm qytetit tonë, vetëm naftëtarëve, por ishte një aset me të vërtetë kombëtar, shumë i rëndësishëm, i cili përdorej minimalisht në kohë krizash, çka sot e tregon edhe çmimi i hidrokarbureve në treg", tha Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve.

"Shiko, ne që ishim punëtorë të uzinës nuk na besohet ende. Nuk na besohet. Edhe në imagjinatat tona më të largëta nuk mund ta mendonim që të vinte kështu, sepse uzina e Ballshit ishte zgjidhja e të gjitha problemeve. Nuk kishte pse të futej vendi në një krizë kaq të thellë, kur ne e kishim mundësinë e zgjidhjes”, u shpreh Hëna Baraj, ish-teknologe në Uzinën e Ballshit.

"Rafineria mbulonte rreth 35% të nevojave të vendit në përpunimin e saj dhe dilte një naftë shumë cilësore, aq sa e kërkonin edhe parametrat e Parlamentit Europian, nën 10 ppm përqindja e squfurit”, tregoi Behar Osmënaj, ish-teknolog.

"Ajo uzinë jo vetëm Ballshin, por mbante pothuajse të gjithë Republikën në këmbë me atë naftë që dilte këtu në Mallakastër. Sot ne naftën e marrim 2500 lekë litrin. Pse ta marr unë naftën 2500 lekë litrin, kur unë në tokën time personale kam pesë puse? Kjo është poshtërsia më e madhe që u prish uzina e Ballshit”, tha i revoltuar Haxhi Hoxha, banor i Ballshit.

“Hotspot”, nga gazetari Armend Pire, sjell nëpërmjet një cikli reportazhesh Shqipërinë ndryshe, shqiptarët, punëtorët dhe profesionistët e fushave. Rrëfime ekskluzive dhe personazhe që vijnë për shikuesit në një mënyrë të thjeshtë të të rrëfyerit. Çdo të shtunë, në orën 13:30 në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos