Vijon djegia në landfill, Elbasani në ditën e tretë nën pushtetin e tymit toksik

Nga Gazmend Janku dhe Belinda Ruçaj
3 Korrik 2025, 15:10 | Sociale

Për të tretën ditë me radhë, vijon të çlirohet tymi toksik nga djegia e pakontrolluar e mbetjeve urbane në landfillin e inceneratorit të Elbasanit.

Përpjekjet e vazhdueshme të forcave zjarrfikëse, Emergjencave Civile dhe vullnetarëve duket se vetëm po mbajnë nën kontroll vatrën e cila me sa duket vijon të digjet në thellësi duke zhvlerësuar punën për fikjen e plotë të saj, shkruan A2.

Mjete të rënda të firmave private, por edhe të ushtrisë hedhin vazhdimisht inerte në grumbullin e mbetjeve me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit. Nga ana tjetër, drejtues të repartit zjarrfikës shprehen se për momentin përpjekjet janë për ta mbajtur nën kontroll, pasi djegia në brendësi do të vijojë të çlirojë tymin toksik për një afat të papërcaktuar.

Ndërkohë, mijëra banorë prej ditësh po përjetojnë ndotjen e ajrit dhe erën e rëndë. Vetëm ndryshimi i erës mund t’u japë herë pas here mundësinë të mos ndjejnë erën e tymit.

Fatmirësisht, deri më tani nuk ka patur raste me emergjencë shëndetësore nga zonat e banuara pranë landfillit. Sakaq, Policia e Elbasanit në bashkëpunim me prokurorinë prej tre ditësh kanë nisur hetimet në lidhje me shkaqet e këtij zjarri, personat përgjegjës nëse do të rezultojnë dhe natyrisht dëmet që po shkaktohen në mjedis.

Nuk është hera e parë që si landfilli i inceneratorit, ashtu edhe mbetjet e skrapit përfshihen nga flakët duke shkaktuar ndotje të shumta, por që hetimet dhe ndëshkimet ligjore në asnjë rast nuk ka qenë në proporcion me dëmet e shkaktuara.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos