Çantat e shkollës këtë vit janë më të rënda për nxënësit. Shumë institucione arsimore nuk aplikojnë më nismën “3 lende në 6 orë, por zhvillojnë 5 deri 6 lëndë të ndryshme gjatë orarit ditor. Të pyetur nga A2 CNN drejtues të shkollave pranojnë se projekti që synonte uljen e ngarkesës së çantave te fëmijët, tashmë nuk aplikohet nga çdo institucion arsimor.
Me ndryshimin e orarit, tashmë nxënësve nuk u është shtuar vetëm numri i librave dhe fletoreve në çantë por edhe pesha mbi supe dhe shpinë. Në udhëzimin e këtij viti, më 10 korrik të 2024, Ministria e Arsimit ua ka lënë në dorë shkollave në varësi të kushteve të tyre, zbatimin e nismës “3 lëndë në 6 orë”.
Por burime për A2 CNN thonë se mungesa e mësuesve të lëndë vetë ndryshme, mësimdhënia në disa shkolla paralele si dhe mungesa e laboratorëve, fizikës, kimisë etj., për t’i bërë dy orët e njëpasnjëshme më pak të lodhshme për nxënësit, i ka detyruar shkollat t’i rikthehen orarit dhe ngarkesës së dikurshme. Tashmë tek prindërit është rikthyer shqetësimi i peshës së çantës dhe frika e deformimit të fëmijëve.
Eksperimenti i radhës në arsim “3 lëndë në 6 orë” dështoi. Ndërkohë, një tjetër ministri, ajo e shëndetësisë, pritet të nisë depistimin e skoliozës në shkolla pikërisht në kohën kur çantat e nxënësve peshojnë më shumë se më parë. (A2 Televizion)