Gatime bio, grekët i tërheq “ëmbëlsia e Maliqit”

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
26 Shtator 2024, 15:12 | Sociale

Panairi i ëmbëlsirave që organizohet për të 16-in vit me radhë tashmë nuk është më thjesht një ditë ku ekspozohen disa gatime tradicionale të zonës. Por është kthyer në një ditë kur nënshkruhen marrëveshje dhe krijohen mundësira për biznes mes tregtarëve vendas por edhe të huaj.

Në këtë logjike, kryetari i bashkisë së Maliqit shprehet se së shpejti do të aplikohen dhe dy projekte konkrete që i shërbejnë promovimit dhe shitjes së produkteve të zonës.

“Ne duam ta lidhim me atë çka prodhon kjo zonë. Këta fermerë, këta blegtorë, këta bletërritës, kaq punëtorë dhe kaq duarartë. Dhe patjetër kjo i shërben biznesit, turizmit, amvisave nëpër familje, i shërben gjithçkaje që ka të bëjë me prodhimet që nuk i gjen në këtë zonë. Ajo çfarë ne po bëjmë, si risi që po sjellim, ka të bëjë me dy objekte që jemi duke i finalizuar. Një për prodhimin e zahireve në zonën e Gorës, që është projekt në bashkëpunim me këshillin  e qarkut në kuadër të fondeve të BE-së, që do prodhojë zahire kësaj zone. Dhe një projekt i dytë me Ministrinë e Bujqësisë për të kthyer tregun e Pirgut në një oaz të gjelbër”, tha për A2 CNN, kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu.

Dhe me sa duket interesimet e para kanë filluar me prezencën e kryetarit të bashkisë së Korinthit në Greqi, i cili nuk e fsheh që vjen në këtë panair për të marrë produktet bio të Maliqit për ti çuar tek bizneset greke të qytetit të tij.

“Unë vij për të disatin vit radhazi në Maliq. Më tepër sesa për këngë e valle vijmë për të marrë ushqime bio dhe për ti çuar drejt bizneseve greke. Ne kemi arritur një bashkëpunim me bashkinë e Maliqit dhe po krijojmë ura bashkëpunimi në mënyrë që produktet e kësaj zone të vijnë në bashkinë tonë dhe të shiten, sepse për të qenë të sinqertë janë shumë të mira", tha për A2 CNN, Nikolao Stavrelis.

Përveç gatimeve tradicionale, fusha e Maliqit është fusha e dytë me e madhe në vend për kultivimin e kulturave bujqësore, të cilat kanë rendimente të larta duke filluar me grurin, misrin, qepët dhe pataten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos