
Një familje shqiptare ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve pas një ngjarjeje të rëndë shëndetësore që ka prekur nënën e tyre 59-vjeçare gjatë një udhëtimi turistik në Danimarkë.
Sipas vajzës së saj, Almira, 59-vjeçarja pësoi një hemorragji të rëndë cerebrale dhe iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent në tru.
Aktualisht ajo vijon të jetë e shtruar në spital në gjendje kritike, ndërsa mjekët paralajmërojnë se rruga drejt rikuperimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
Familja bën me dije se pacientja nuk kishte siguracion udhëtimi dhe për këtë arsye të gjitha kostot e trajtimit po mbulohen privatisht.
Përveç ndërhyrjes kirurgjikale, nevojiten shpenzime të konsiderueshme për kujdesin intensiv, ekzaminimet, medikamentet dhe më pas rehabilitimin.
Sipas familjarëve, kostot totale mjekësore mund të arrijnë deri në 600 mijë korona daneze, ose rreth 80 mijë euro, një shumë që ata thonë se është e pamundur të përballohet me mundësitë e tyre financiare.
Përmes një apeli publik, familja u kërkon qytetarëve që të kontribuojnë sipas mundësive për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të trajtimit.
“Çdo donacion, pavarësisht shumës, do të përdoret drejtpërdrejt për kujdesin mjekësor, shtrimin në spital, operacionet, ekzaminimet dhe rehabilitimin e nënës sonë. Ju falënderojmë përzemërsisht për mbështetjen, lutjet dhe solidaritetin në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në mesazhin e familjes.
https://gofund.me/7c8c29cb0 (A2 Televizion)