Fluksi i punëtorëve të huaj, legjislacioni dhe kontrollet jo në nivelin e duhur

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
25 Maj 2026, 15:17 | Sociale

Kërkesa për punëtorë të huaj në vendin tonë, që vit pas viti po bëhet akoma dhe më e madhe, po nxjerr në pah edhe problematikat që kanë të bëjnë me sigurinë dhe legjislacionin që duhet të mbrojë jetën dhe shëndetin e këtyre punonjësve.

Rasti në Durrës, ku një i ri nga Bangladeshi humbi jetën në një punishte për prodhimin e skafeve si pasojë e një zjarri, ka ngritur shqetësimin se si procedohet në të tilla raste, të paktën për rikthimin e trupit në atdheun e të ndjerit. Legjislacioni shqiptar, siç duket, nuk e parashikon qartë këtë lloj procedure dhe se nga kush duhet të kryhet ajo.

“Në çdo rast, ne i referohemi ligjit: Ligjit për të Huajt, Kodit të Punës dhe sigurimit teknik. Ligji shqiptar për të huajt parashikon që, në rast aksidenti, kompania duhet të kujdeset për punonjësin, por në rast vdekjeje nuk parashikohet riatdhesimi në vendin e origjinës”, thotë për A2 CNN Suzana Aga, eksperte rekrutimi, Durrës.

“Mirëpo, ne jemi pjesë e Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe ajo parashikon se është pikërisht biznesi ai që duhet ta riatdhesojë punonjësin në vendin e origjinës, pasi ligji për të huajt në Shqipëri nuk e shpreh qartë këtë përgjegjësi ligjore. Çdo biznes, në momentin që rekruton një punonjës, e vetmja gjë që pranon faktikisht në dokumentacion është kujdesi shëndetësor në rast aksidenti, akomodimi dhe ushqimi, por në asnjë rast nuk parashikohet riatdhesimi”.

Madje, për shkak të numrit mjaft të lartë të aplikimeve, sipas ekspertes së rekrutimit të punëtorëve të huaj, zyrat përkatëse shtetërore nuk kanë mundësi as të verifikojnë në terren kushtet se si trajtohen apo mbahen këta punonjës.

“Kompanitë detyrohen sipas ligjit që të respektojnë, së pari, hapësirën prej 20 metrash katrorë për një punonjës. Ata duhet të kenë kushte jetese normale sa i përket kuzhinës, tualeteve e të tjerë. Çfarë ndodh? Sot ka shumë ngarkesë. Tre janë qytetet kryesore që kanë fluksin më të madh: Tirana, Durrësi dhe Vlora. Në të tre këto qytete, zyrat shtetërore kanë mungesë stafi. Pra, operatorët që hedhin dokumentacionin në zyrat e emigracionit përballen vetë me mungesën e personelit. A ka mundësi që në një qytet si Durrësi, ku ka 2000 aplikime vetëm për punësim, çdo gjë të ndiqet nga vetëm katër operatorë? Unë mendoj që jo”, thotë Aga.

E rëndësishme është që inspektoratet të kryejnë verifikimet përpara se ngjarje të tilla t'u marrin jetën njerëzve, pasi më pas, masat nuk e kanë më vlerën e duhur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos