Udhëzuesi i trajtimit hormonal për transgjinorët, Tomini: Orientues, jo protokoll përfundimtar terapeutik

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 15:46 | Sociale

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, sqaroi sot se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.

Sipas zv.ministres Tomini, dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri.

Ajo theksoi se udhëzuesi i referohet vetëm adultëve të këtij target grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.

“Ky udhëzues konsiderohet një udhëzues orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Orienton profesionistët shëndetësorë në procesin e rekomandimit apo të referimit mbi terapinë hormonale për individët që janë të interesuar dhe referohen në shërbimin e endokrinologjisë. Udhëzuesi mbështetet në praktikat dhe rekomandimet ndërkombëtare si dhe në vlerësimin e një ekipi multidisiplinar me specialistë klinicistë, profesionistë psikosocial, specialistë të shëndetit mendor. Çdo rast vlerësohet individualisht nga ky ekip multidisiplinar dhe nëse individi shfaq patologji apo ka patologji të caktuara, përjashtohet nga ky udhëzim në varësi të vlerësimit klinik. Gjithashtu ky udhëzues ka karakter thjesht klinik dhe zbatohet në nivel universitar në shërbimin e endokrinologjisë si struktura referente për terapinë hormonale”, tha ajo.

Në lidhje me çështjen e rimbursimit, Tomini sqaroi se udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Dokumenti përfshin vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale, bazuar në praktikat klinike ndërkombëtare.

“Udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet dhe terapinë hormonale. Në të përfshihen vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale sipas praktikave klinike. Partimi i protokolleve specifik të trajtimit dhe çdo vendimmarrje mbi rimbursimin janë procese të mëvonshme të cilat zbatohen me vlerësimin klinik të individualizuar të pacientit dhe në zbatimin e praktikave rregullatore institucionale”, shtoi Tomini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos