Disa nga plazhet publike në Vlorë rezultojnë me ndotje bakteriologjike si të ujërave detar ashtu edhe të pjesës së rërës dhe si të tilla janë të papërshtatshme për pushuesit që i frekuentojnë. Ambientalisti vlonjat Niko Dumani tregon konkretisht llojin dhe shkallën e ndotjes në disa nga plazhet publike të Vlorës.
“Ujërat detare ndahen në katër grupe A, B, C, D, përkatësisht cilësia e shkëlqyer, cilësi e mirë, cilësi e mjaftueshme dhe cilësi e keqe”, tregon ai për A2 CNN. “Shqetësimi i lidhur me këtë problem që po trajtojmë është që disa nga plazhet të Vlorës, të bregdetit të Vlorës, janë me ndotje të kategorisë D që ka ndotje bakteriologjike me dy indikatorët e saj. Janë grupi i baktereve patogjen enterokokus intestinalis me përfaqësues echeria coli dhe streptokokët fekale, të cilët janë pasqyruar dhe publikuar me vlera reale të ndotjes së ujërave detare. Ky plazh publik ku jemi ne, por dhe plazhet e tjera ranor siç është plazhi i vjetër, siç është plazhi i ri, janë të kategorisë D”.
Në fakt ndotjen e konstatojnë edhe vetë pushuesit që frekuentojnë këto plazhe. “Kushdo që vjen vetëm për ato pyet se domethënë kanë dhe frikë njerëzit të rrinë këtu”, tregon një prej tyre. “Problemi është se aty vjen erë, nuk ka filtrim”, thotë një tjetër.
Përballë kësaj situate duket se bashkia e Vlorës që administron plazhet është e pafuqishme të ndryshojë situatën. A2 CNN është i interesuar dhe në bashkinë e Vlorës, e cila sigurisht e pranon këtë problematikë, por thotë se rasti i kalon kompetencat e institucionit kryesor të qytetit.
Zgjidhja është referuar në disa institucione tashmë si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Ujësjellës Kanalizime, Kapitaneria e Vlorës, por gjithashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe pritet që zgjidhja në vazhdim të vijë pikërisht nga këto institucione. Ndotja e plazheve përveç rrezikut që sjell për pushuesit dëmton edhe turizmin në këtë zonë, ndaj marrja e masave duhet të jetë e menjëhershme. (A2 Televizion)