Njëri në gjendje kritike e dy të tjerët jashtë rrezikut, por me trauma në gjymtyrë. Ngjarja e rëndë në zemër të Tiranës, ku tre të mitur po lëviznin të shkujdesur me monopatina dhe një drejtues automjeti po përpiqej të shmangte semaforin e kuq, është një tjetër sinjal i fortë përballë institucioneve të përgjumura ndaj asaj që çdo ditë na shohin sytë rreth nesh.
Vitet e fundit, mjekët në Shqipëri kanë apeluar në mënyrë të përsëritur për rregullimin me ligj të përdorimit të skuterave elektrikë në rrugë, pasi aksidentet janë në rritje të vazhdueshme, shkruan A2 CNN.
Kirurgu ortoped Ilir Hasmuça tregon për dëmtimet dhe traumat që shkakton një aksident me monopatinë. Sipas mjekëve të Spitalit të Traumës, fëmijët dhe adoleshentët duhet të ndalohen të lëvizin me monopatina, ndërsa apelojnë fort për hartimin e rregullave të qarta mbi përdorimin e këtyre mjeteve në rrugë.
Duke iu referuar përvojave të vendeve europiane, mjekët propozojnë që drejtuesit e monopatinave të kenë patentë për këto mjete motorike dhe të respektojnë të gjitha masat e sigurisë.
Nga Spitali i Traumës, çdo ditë raportohen 2 deri në 3 raste aksidentesh të shkaktuara nga skuterat elektrikë në rrugë, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar as humbjet e jetës. (A2 Televizion)