Arsimi është në emergjencë kombëtare. Ky ka qenë qëndrimi i deputetes Erisa Xhixho në Parlament gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Deputetja e Partisë së Lirisë ka renditur problematikat nga arsimi fillor në atë të lartë. Sipas Erisa Xhixhos, të rinjtë gjithnjë e më shumë synojnë largimin nga vendi, shkollat po vuajnë mungesën e mësuesve, niveli i dobët i nxënësve po reflektohet edhe në Universitete, ndërsa financimi i qeverisë për arsimin është më i ulëti në rajon.
Ndryshe nga fjalimi i deputetes Xhixho, ai i ministres së Arsimit ishte optimist dhe me skenarë të rinj reformash dhe mbështetjesh financiare.
Deputeteja Xhixho kërkoi sqarime për projektet e dështuara në arsim, si ai “Të bëjmë detyrat e shtëpisë”, “Shkolla, qendër komunitare" apo dhe për përfshirjen e disa drejtuesve të shkollave të sandale korruptive dhe droge.
Deputetja e opozitës i kërkoi ministres Manastirliu të rikthejë pagesën e transportit për nxënësit që mësojnë larg vendbanimeve të tyre. Ndërsa ministrja e Arsimit u shpreh e bindur se po nisin të japin efekt politikat që ka ndërmarrë në sektorin që po drejton prej afro një viti. (A2 Televizion)