Ministrja e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga ndryshimet për urdhrin e Mjekut. Pavarësisht kundërshtive nga deputete të opozitës, por edhe nga radhët e mjekëve, Albana Koçiu ju ka kujtuar shefave të shërbimeve se së afërmi do të miratohet paketa e ndryshimeve.
Ajo ndalon punën në privat të shefave të shërbimeve, ndërsa mjekët duhet të marrin autorizim nga spitali për punën në shërbimin privat.
Shefat e shërbimeve nuk kanë pranuar të flasin publikisht edhe pse jashtë kamerës shprehen kundër ndërhyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë në kompetencat e Urdhrit të Mjekut. Të ftuar në konferencën për autonominë spitalore, mjekët janë njohur me ndryshimet që do të sjellë kjo reformë në shërbimin spitalor.
Autonomina spitalore aktualisht aplikohet në spitalin e Shkodrës, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe në spitalin Memorial të Fierit.
Ministria e Shëndetësisë synon që në tre vitet e ardhshme ky proces të shtrihet edhe në 12 qendrat e tjera spitalore. Ky model synon t’i japë spitaleve autonomi financiare, pavarësi në protokollet e trajtimit dhe menaxhimit të pacienteve si dhe do ti japë fund politikës “shëndetësi falas”, e cila nuk ka gjetur zbatim deri tani. (A2 Televizion)