Barazia gjinore, opozita depoziton në Kuvend nismën ligjore “pro familje”

Nga Ornela Joti
1 Maj 2026, 17:55 | Sociale

Demokratët dorëzojnë në Kuvend nismën ligjore që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 22 vjeç nga propaganda gjinore. Opozita i kërkon zyrtarisht kreut të Kuvendit nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit, shkruan A2 CNN.

Nisma ligjore e depozituar, me firmën e parë të Sali Berishës, ka për qëllim ndalimin e propagandës në shkolla, media dhe në platformat digjitale, të cilat synojnë promovimin e familjes LGBTQ.

“Institucionet arsimore parauniversitare kanë detyrimin ligjor të bëjnë transparente për prindërit të gjitha materialet didaktike, kurrikulat, modulet plotësuese, tekstet shkollore dhe materialet audiovizuale që trajtojnë seksualitetin, orientimin seksual ose identitetin gjinor. Çdo aktivitet, mësimdhënie, leksion ose projekt që lidhet me edukimin seksual, shëndetin riprodhues ose orientimin seksual në arsimin parauniversitar duhet të njoftohet zyrtarisht tek prindërit të paktën 30 (tridhjetë) ditë përpara zhvillimit. Ndalohet shpërndarja, transmetimi ose publikimi në radio, televizion, platforma online, rrjete sociale, botime të shtypura, si dhe në çdo formë tjetër komunikimi publik, i përmbajtjeve që trajtojnë ose promovojnë çështje të identitetit gjinor, seksualitetit apo ndryshimeve të karakteristikave biologjike, kur këto përmbajtje, për shkak të përmbajtjes, gjuhës ose formës së paraqitjes, nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijëve dhe të rinjve”.

Po ashtu, drafti propozon ndalimin e ndërhyrjeve mjekësore, invazive apo medikamentoze nën moshën 22 vjeç për ndryshimin e karakteristikave seksuale.

“Për qëllimet e këtij ligji, ndërhyrje të tilla përfshijnë, por nuk kufizohen në:

administrimin e hormoneve apo medikamenteve që ndikojnë në zhvillimin seksual;

procedura kirurgjikale që synojnë ndryshimin e karakteristikave seksuale;

trajtime të tjera mjekësore, psikologjike ose terapeutike që kanë si qëllim transformimin e karakteristikave seksuale biologjike apo të identitetit të lidhur me to”.

Nisma nuk është vetëm për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë nën 22 vjeç, por edhe për të huajt që vijnë apo jetojnë në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos