Katër ditë spektakël mbi katër rrota në edicionin e katërt të “Automotive Fair Albania”.
Adrenalinë që i vuri zjarrin në kuptimin e parë të fjalës sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet, me motorët që “gjëmonin” dhe turmën që brohoriste.
Megi Kokoshi (AFA, DPSHTRR) u shpreh për A2CNN: “Ky edicion, nën sloganin “Fueled by passion”, kishte në fokus të bashkëvepronte mes shumë elementësh. Show nga djemtë; elementë të sigurisë rrugore në dy fasha. Që në fëmijëri të hershme dhe drejtuesit e rinj të mjeteve, ku më e rëndësishmja ishte që kompeticioni “Best men drivers” i cili këtë vit vjen me një risi. Fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në kompeticion ndërkombëtar”.
Eventi mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme, duke kthyer panairin në një festë të vërtetë për botën e motorëve dhe dashamirës që ndoqën shfaqjen e rezervuar nga pilotët profesionistë.
“Nga pas ne kemi djemtë e “Stuntman Industries”, të cilët ishin kulminacioni i këtij eventi. Na kanë kënaqur këto ditë dhe ndaj e mbyllëm eventin me ta”, tha Kokoshi.
Makina policie që lëviznin në dy rrotat anësore, shpejtësi, mjete që bënin “drift” apo duke nxjerrë flakë nga pas, manovrat krijuan një lloj ‘cirku’ automobilistik: “Falënderojmë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e tjera që ndihmuan në organizimin”.
Megjithatë, përtej argëtimit, mesazhi mbetet gjithmonë forcimi i sigurisë rrugore dhe përgjegjësisë që nis në momentin kur mban timonin në duar. (A2 Televizion)