Në fshatin Çorrush të bashkisë së Mallakastrës, mbledhja e bimëve medicinale është një nga mënyrat e mbijetesës së dhjetëra familjeve, që kryesisht përbëhen nga të moshuar ose gra. Ata shprehen se vitet e fundit çmimet e bimëve medicinale, për shkak edhe të mungesës së një tregu të qëndrueshëm, kanë rënë tri deri në katër herë më pak, duke bërë që edhe mundi i tyre të mos shpërblehet më.
"Ky ka qenë deri në 14-15000 lekë kilogrami. Sot ne e shesim për 4000 lekë. Ka rënë tregu. Ne punojmë sa për të nxjerrë bukën e gojës. Tani unë jam 70 vjeç, jam gjithë ditën në lëvizje dhe deri në darkë s'besoj ta bëj një kile. Kjo është ajo që ne vuajmë”, thotë një i moshuar për A2 CNN.
“Jemi të detyruar të mbledhim nga kjo, sa të shkojë, le të shkojë, për mëshirë të fatit. Varet si e marrin ata te pikat e grumbullimit që vijnë. Një herë thonë 2000, një herë 1000, një herë 600. S'kemi një bazë që ta dimë se sa të mbledhim”.
Por çfarë i detyron këta të moshuar dhe gra që të enden pyjeve dhe kodrave për të mbledhur diçka që nuk i shpërblen?
“E keqja Po të duash rri... Do hash? Kam 100.000 lekë pension. Ja, unë dhe plaka, dy veta jemi, a mjaftojnë për bukë? Po mua s'më dalin as për ilaçet. 80 000 lekë bëjnë ilaçet që marr, çfarë më ngel mua? Kështu që do të ngjitem deri në pyll që të nxjerr bukën e gojës”, thotë një i moshuar.
“S'kam ku të ushqehem, jam pa pension. Jam vetëm me një burrë të sëmurë me zemër dhe me tension. Është aq e vështirë! Po nuk mundem të bëj një punë tjetër, se sot s'ka punë tjetër këtu në fshat. Do t'i kapësh gjembat me dorë, çfarëdo që të jetë, sepse do të ushqehem. Ku të vete? Po s'kemi punë tjetër, ku të vemi?”.
Ndërsa i shikon se sa mund bëjnë për të siguruar sadopak lekë, i vetmi konkluzion që të vjen ndërmend është se sa e vështirë është për këta të moshuar të mbijetojnë në Çorrush. (A2 Televizion)