Largimi i një fëmije të mitur nga banesa, pasi nëna e tij e kishte ndëshkuar për një sjellje jo të mirë, ishte një nga lajmet më shqetësues të ditëve të fundit në vendin tonë. 11-vjeçari nga Durrësi ishte larguar nga banesa pasi mamaja e kishte ndëshkuar pasi kishte konsumuar një cigare.
Por sipas punonjësit social, Mirgit Vataj, pavarësisht sjelljes së të miturit, dënimi nuk është forma e duhur e disiplinimit të fëmijëve.
“Nëse ne mendojmë që duhet të ndëshkojmë fëmijët atëherë ka një diskutim shumë të madh. Nëna besoj që ka nevojë për këshillim. Pra, e ka nevojë që të këshillohet për mënyrat pozitive të prindërimit dhe ndëshkimi nuk është formë disiplinimi”, tha Vataj në “Dita jonë” në A2 CNN. “Pra, këtë duhet ta heqim si mundësi dhe ja ku ndodhemi përballë situatës ku ne, nëpërmjet këtyre metodave që zgjedhim për të disiplinuar fëmijët, kryesisht ndëshkimin, i ekspozojmë fëmijët në një situatë të riskut tjetër që fëmijët mund të ikin nga familja. Pra për t'ju larguar asaj situate presioni, dhune që mund të ndeshin”.
Ai theksoi se, bazuar në të dhënat e viteve të mëparshme, mesatarisht çdo tre ditë largohej një fëmijë nga familja, çka tregon se fenomeni nuk është i rrallë. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për fëmijë që përballen me neglizhencë, dhunë apo marrëdhënie problematike mes prindërve. Sipas tij, largimi nuk është qëllim në vetvete, por një tregues se diçka nuk funksionon siç duhet në raportin prind-fëmijë.
Prindërit, tha Vataj, duhet të reflektojnë mbi mënyrat pozitive të prindërimit, duke zëvendësuar ndëshkimin me dialog dhe mbështetje, për të shmangur situata që mund t’i ekspozojnë fëmijët ndaj fenomeneve edhe më të rrezikshme se sa ai për të cilin janë ndëshkuar. (A2 Televizion)