Drafti i Kodit të ri Penal, burg deri në 4 vite kush cenon sigurinë ushqimore

Nga Armend Pire
3 Shtator 2025, 17:39 | Sociale

Sa herë kemi pyetur veten këtë kohë nëse frutat e perimet qe hamë janë të shëndetshme dhe pa pesticide? Populli thotë se frika eruan vreshtin dhe teksa mekanizmat deri tek Autoriteti Kombëtari Ushqimit nuk ia kanë dalë...

Hartuesit e Kodit të ri Penal janë kujdesur që të paktën të forcojnë dënimin. Mes shumë ndryshimesh e ashpërsimesh të masave penale, një vend të rëndësishëm ka edhe siguria ushqimore.

“Sigurisht që duhet të ketë kontrolle. Konsumatori kur blenë duhet të ketë kofidencën më të lartë. S’ka kofidencë, ska siguri.”

Nëse Kodi miratohet e mbi të gjitha zbatohet pasiguria e konsumatorëve përballë tezgave për blerjen e fruta-perimeve apo bulmetit e mishit, mund të marr fund. “Asgjë s’ka siguri, s’kemi siguri për jetën, jo për ushqimin.”

Drafti i hedhur për konsultim publik, parashikohen dënime me burg për personat që prodhojnë, përpunojnë, ruajnë, tregtojnë, importojnë ose eksportojnë ushqime dhe pije në kundërshtim me standardet ligjore. Fermerët apo blegtorët që përdorin kimikate apo lëndë të dëmshme tek kafshët dhe bimët që shërbejnë për konsum do të kenë një dënimi deri në katër vjet burgim.

Edhe shkeljet në produktet dhe nënproduktet e mishit po ashtu, konsiderohet vepër penale. Për këtë parashikohet dënim deri në katër vjet burgim. Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, thotë se masat janë të nevojshme, por Kodi Penal duhet të bëjë një ndarje nga shkelja dhe pakujdesia.

“Mos të ketë dënim kur bëhet fjalë për nga pakujdesia apo mungesa e informacionit.”

Praktika të ashpër kanë edhe vendet ndërkombëtare, të cilat e cilësojnë si krim shkeljen e sigurisë ushqimore. E deri sa siguria ushqimore të hyjë në një fazë përmirësimi, konsumatorët do të vijojnë të ndjekin traditën e vjetër kur të bëjnë blerje.

“Sa më bio, sa më lokale, atje po shkon konsumatori, ku ka prodhim lokal.”

Roli i institucioneve mbetet më i rëndësishëm në këtë fazë, ku gjurmimi, hetimi dhe asgjësimi i produkteve ushqimore nga tregu, do të mbrojë shëndetin e konsumatorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos