Elona Bregu, punonjësja e pastrimit në qytetin e Kuçovës ka alarmuar Policinë dhe banorët e zonës mesditën e kësaj të enjte. 40-vjeçarja është ngjitur në një vinç pranë repartit të oksigjenit në Kuçovë, duke deklaruar se do të hidhet nëse nuk e rikthejnë në punë.
Për disa orë ajo ka qëndruar mbi vinç me arsyen se e kanë larguar nga puna dhe prej dy muajsh nuk ka marrë pagën. Në një intervistë për A2 CNN, Elona tregon vendimin e papritur të pushimit të saj nga puna si dhe gjendjen e vështirë ekonomike.
“Hipa në kullë sepse doja lekët. Kemi dy muaj e gjysmë pa marrë rrogën. Shkuam te njëri i bashkisë për të kërkuar lekët, ai firmosi shkarkimin nga puna. 3 prej nesh na hoqi nga puna”, tha Elona Bregu. “Fëmijët e mi ku do hanë? Çfarë bëra unë që më heq nga puna?”.
Edhe punonjëse të tjera thonë se kanë pasur të njëjtin fat si Elona.
Ish-kandidati për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, në një komunikim për A2 CNN deklaroi përbuzjen me të cilën trajtohen punonjëset e pastrimit duke denoncuar edhe abuzimet në bashki.
Pas disa orësh negociata me punonjësit e policisë dhe policinë bashkiake, 40-vjeçarja zbriti nga vinçi, pasi i premtuan se do te rikthehet në punë. (A2 Televizion)