Erjeta Gajtani, artistja që e ktheu dhimbjen në art: “E kam njohur errësirën, por kam zgjedhur të shoh dritën”

Nga Freskida Miloti
8 Gusht 2026, 20:49 | Sociale

Për më shumë se 35 vite i është përkushtuar artit pamor, ndërsa prej dy dekadash ka zgjedhur mozaikun si një formë të veçantë shprehjeje. Erjeta Gajtani mbledh gurë nga brigjet shqiptare dhe i shndërron në vepra arti, duke sjellë në to natyrën, lulet, portretet dhe ngjyrat e jetës.

Arti për Erjeta Gajtanin nuk është vetëm profesion. Është mënyra përmes së cilës ajo ka përballuar dhimbjen, humbjet dhe sfidat e jetës.

E ftuar në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, artistja tregoi se arti ka qenë një shoqërues i heshtur gjatë gjithë jetës së saj, veçanërisht pas tragjedive familjare.

“Arti u bë një shok shumë i mirë, i heshtur, që nuk më la kurrë vetëm”, rrëfeu ajo.

Gajtani kujtoi fëmijërinë e vështirë, kur në moshën vetëm trevjeçare përjetoi arrestimin e të atit dhe vështirësitë me të cilat u përball nëna e saj për të rritur dhe arsimuar fëmijët.

Pikërisht në atë realitet të vështirë, ajo thotë se zgjodhi të kërkonte anën e bukur të jetës.

“E kam njohur errësirën, e kam njohur shumë mirë, por kam zgjedhur të shoh dritën”, tha artistja.

Kjo filozofi është reflektuar edhe në veprat e saj. Lulet, natyra, ngjyrat dhe feminiliteti janë ndër elementet që përsëriten në artin e saj.

Nga dhimbja te gurët e detit

Një tjetër kapitull i rëndësishëm në jetën e Gajtanit ishte humbja e motrës së saj, gjithashtu artiste, në moshën 47-vjeçare. Pas kësaj humbjeje, ajo përjetoi një periudhë të rëndë dhe u largua përkohësisht nga arti.

Ishte bashkëshorti i saj ai që e nxiti të dilte nga izolimi, mërzia dhe të rikthehej te natyra.

Gjatë udhëtimeve me të, Gajtani nisi të vërente gurët me ngjyra të ndryshme në brigjet shqiptare.

“Gurë të kuq, gurë të verdhë, të bukur… thashë: do bëj një gjë me këto”, rrëfeu ajo.

Kështu nisi një rrugëtim i ri artistik. Ajo filloi të mblidhte gurë nga brigjet e Shqipërisë dhe t’i përdorte për të krijuar mozaikë.

Madje, gjatë një periudhe kishte mbledhur aq shumë gurë, sa, siç tregon me humor, kishte grumbulluar material pothuajse sa një furgon.

Fillimisht i pikturonte dhe i studionte gurët, ndërsa më pas, e nxitur edhe nga djali i saj, nisi të eksploronte teknikën e mozaikut.

Por Gajtani nuk donte të ndiqte modelet tradicionale.

Ajo vendosi të mos përdorte pllaka apo copa mermeri të përgatitura, por të krijonte mozaikët vetëm me ngjyrat natyrore të gurëve që gjente në brigjet shqiptare.

Lulet, kujtimet dhe natyra

Në veprat e saj, lulet zënë një vend të veçantë. Artistja e lidh këtë me kujtimet e fëmijërisë dhe me shtëpinë e gjyshes së saj, e cila ishte e rrethuar nga lule dhe pemë.

Por ajo shtëpi dhe kopshti i saj u shembën.

“Prenë të gjitha pemët që kishte, fiqtë, manaferrat, shegët… dhe lulet u shkelën”, kujtoi Gajtani.

Dhimbja e atij momenti, sipas saj, mbeti e lidhur me kujtesën dhe u shndërrua më vonë në një burim frymëzimi për artin.

Mirënjohja për mjekët që ishin pranë familjes

Në intervistë, artistja ndau edhe një nga historitë më të dhimbshme të jetës së saj: sëmundjen dhe humbjen e bashkëshortit.

Ajo tregoi se pas shfaqjes së simptomave, familja u përball me diagnozën e kancerit në mushkëri dhe metastazave në tru.

Në atë periudhë, dy mjekë, onkologët Enrik Zotaj dhe Laert Berdica, sipas Gajtanit, u kthyen në një mbështetje të rëndësishme për familjen.

Ajo veçoi veçanërisht doktor Enrikun, i cili, sipas rrëfimit të saj, e ndihmoi familjen jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe njerëzor, duke qenë pranë tyre deri në momentet e fundit.

“Një mjek që kishte fisnikërinë dhe humanizmin”, e cilësoi ajo, duke shprehur mirënjohjen për përkushtimin e tij.

Për Erjeta Gajtanin, arti dhe jeta duket se kanë një pikë të përbashkët: aftësinë për të gjetur dritën edhe në periudhat më të errëta.

Nga gurët e mbledhur në brigjet shqiptare, ajo ka krijuar një gjuhë të sajën artistike, ku natyra, kujtesa dhe dhimbja shndërrohen në ngjyra dhe forma.

Dhe mesazhi që përcjell është i thjeshtë: edhe përballë errësirës, njeriu mund të zgjedhë të shohë dritën.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos