Ne po jetojmë në një mjedis informacioni të kontestuar dhe të polarizuar, të shënuar nga kërcënimet hibride dhe dezinformimi, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, tha të mërkurën, Silvio Gonzato, ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë.
Nga ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Fatos Baxhaku”, organizuar nga organizata mediatike “Faktoje.al”, diplomati i BE theksoi se narrativat e rreme ose mashtruese, të amplifikuara artificialisht, mund të formësojnë perceptime që dëmtojnë legjitimitetin e aktorëve politikë e institucioneve dhe të ndikojnë në vendimet politike, shkruan A2.
“Fushata e dezinformimit në prag të miratimit të ligjit për barazinë gjinore në Kuvend është provë se Shqipëria nuk është imune dhe se shqiptarët mund të shënjestrohen dhe mashtrohen nga individë me qëllime keqdashëse. Në një mënyrë të paprecedentë kjo fushatë u përpoq gjithashtu të minonte qëndrimin pro-evropian të shqiptarëve, paradoksalisht, në një kohë kur vendi po përparon vazhdimisht në rrugën e integrimit në BE”, tha Gonzato.
Drejtoresha ekzekutive e “Faktoje” nënvizoi se aktualisht makineritë e dezinformimit janë më të forta se kurrë.
Çmimet “Fatos Baxhaku” për artikuj të thelluar u ndanë mes gazetarëve Osman Stafa, Marjo Brakaj, Gisela Troplini dhe Armand Braho, ku reporteri i A2, Marjo Brakaj, u vlerësua me çmimin e dytë.
Ceremonia u zhvillua më 1 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve. (A2 Televizion)